Një muaj pas nisjes së luftës në Iran, mungesa në rritje e naftës së papërpunuar po rrezikon të shndërrohet në diçka shumë më të madhe: mungesë pothuajse e çdo gjëje.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka kufizuar ndjeshëm rrjedhën e naftës dhe gazit natyror përmes Ngushticës së Hormuzit, duke reduktuar furnizimin global me rreth një të pestën. Kjo ndërprerje jo vetëm që ka çuar në rritje të fortë të çmimeve të karburanteve, por ka goditur edhe furnizimin me petrokimikate, të domosdoshme për prodhimin e produkteve të përditshme si këpucë, veshje dhe qese plastike.
Kjo trysni tashmë po përhapet në të gjithë tregun e konsumit, ndërsa çmimet rriten për materiale si plastika, goma dhe poliesteri. Deri tani ndikimi ndihet më fort në Azi, rajoni që përfaqëson mbi gjysmën e prodhimit global dhe që varet ndjeshëm nga importet për naftë dhe lëndë të tjera të para.
Në Korenë e Jugut, qytetarët kanë nisur të blejnë në panik qese mbeturinash, ndërsa qeveria u ka kërkuar organizatorëve të eventeve të reduktojnë përdorimin e materialeve njëpërdorimshe.
Tajvani ka hapur një linjë ndihme për prodhuesit që kanë mbetur pa plastikë, ndërsa fermerët e orizit paralajmërojnë rritje çmimesh për shkak të mungesës së ambalazheve vakum.
Në Japoni, kriza ka ngritur shqetësime serioze se pacientët me sëmundje kronike të veshkave mund të mbeten pa trajtim për shkak të mungesës së tubave plastikë për hemodializë.
Në Malajzi, prodhuesit e dorezave paralajmërojnë se mungesa e një nënprodukti të naftës po kërcënon furnizimin global me produkte mjekësore.
Ekspertët paralajmërojnë se efekti domino është i shpejtë dhe i gjerë: nga birra dhe ushqimet e përpunuara, deri te lodrat dhe kozmetika. Kjo ndodh sepse plastika dhe derivatet e saj janë thelbësore për ambalazhimin, prodhimin industrial, ngjitësit, lubrifikantët dhe një sërë procesesh të tjera.
Kjo situatë po ushtron presion të fortë mbi inflacionin global dhe po ngadalëson rritjen ekonomike. Kostot më të larta për energjinë dhe lëndët e para po reduktojnë fitimet e kompanive dhe po përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët.
Ndërkohë, rritja e çmimeve të karburanteve po godet transportin dhe logjistikën, ndërsa mungesat e materialeve si plehrat kimike apo heliumi mund të rrisin më tej çmimet e ushqimeve dhe elektronikës.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se përhapja e këtyre efekteve vjen në një moment kur shumë ekonomi kanë pak hapësirë për të përballuar goditje të reja, duke theksuar se në çdo skenar rezultati është i njëjtë: çmime më të larta dhe rritje më e ngadaltë.
Ndërkohë, vendet kanë nisur të përdorin rezervat strategjike të naftës për të zbutur goditjen, por problemi kryesor po zhvendoset nga çmimi tek mungesa fizike e lëndëve të para. Veçanërisht kritike është mungesa e naftës së përpunuar “naphtha”, një komponent kyç për prodhimin e materialeve sintetike, për të cilin nuk ka alternativa të menjëhershme.
Disa kompani petrokimike në Azi kanë ulur prodhimin ose kanë shpallur “force majeure”, duke mos qenë në gjendje të përmbushin kontratat për shkak të mungesës së lëndëve të para. Koreja e Jugut ka nisur të importojë naphtha nga Rusia dhe ka ndaluar eksportet për të mbrojtur furnizimin e brendshëm.
Ndërkohë, çmimet e plastikës në Azi janë rritur deri në 59% që nga fundi i shkurtit, duke arritur nivele rekord. Në disa vende, çmimet e produkteve të thjeshta si qeset plastike apo kapakët e shisheve janë rritur ndjeshëm, ndërsa prodhuesit paralajmërojnë se rezervat mund të zgjasin vetëm disa javë.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo krizë do të përhapet gradualisht nga Azia drejt pjesës tjetër të botës, nëse furnizimet nga Lindja e Mesme nuk stabilizohen. Rajoni furnizon një pjesë të madhe të materialeve kyçe globale, përfshirë plastikën, plehrat kimike dhe elementë të përdorur në industri të ndryshme.
Disa prodhues po shtyjnë blerjet me shpresën se çmimet do të bien nëse konflikti zgjidhet, ndërsa të tjerë po përpiqen të reduktojnë përdorimin e plastikës ose të kalojnë në materiale alternative, si letër, qelq apo alumin. Por këto alternativa janë më të shtrenjta dhe kërkojnë kohë për t’u implementuar.
Siç duket, kriza nuk është më vetëm energjetike. Ajo po shndërrohet në një krizë zinxhiri furnizimi global, ku çdo hallkë e ekonomisë ndikohet — dhe askush nuk është i përjashtuar.
(Burimi: CNN)






