Në katet e larta të një prej godinave më të shtrenjta të kryeqytetit, përballë Katedrales Ortodokse dhe vetëm pak metra nga institucione kyçe shtetërore, funksiononte prej muajsh një strukturë e sofistikuar mashtrimi ndërkombëtar. Qendra e thirrjeve në “Atti Tower”, në rrugën Ibrahim Rugova, dyshohet se u përdor për të mashtruar qytetarë italianë dhe europianë, duke i bindur të investonin në platforma të rreme kriptomonedhash. SPAK dhe BKH e goditën këtë rrjet vetëm pas materialeve të dorëzuara nga gazetarët investigativë italianë të emisionit “Le Iene”.
Por përtej suksesit të operacionit, rasti hap një pyetje të madhe:
Si ka mundësi që një skemë kriminale me dhjetëra punonjës, pajisje të shumta, zyra luksoze me qira në një nga zonat më të kushtueshme të Tiranës, personel sigurie privat dhe madje automjete luksoze – përfshirë një Ferrari të sekuestruar (sipas njoftimit zyrtar tё SPAK)– të funksionojë për një kohë të gjatë pa rënë në radarët e institucioneve shtetërore?
Një qendër e tillë nuk është e padukshme. Ajo kërkon kontrata qiraje, furnizim me energji, rrjete interneti, pagesa rrogash, hyrje-dalje të përditshme të stafit dhe fluks të konsiderueshëm financiar. Këto janë sinjale që normalisht monitorohen nga administrata tatimore, inspektorati i punёs, strukturat e inteligjencës financiare, policia dhe shërbimet e sigurisë. Në një vend ku çdo biznes i vogël kontrollohet për kasën fiskale, një rrjet m`u nё zemёr tё kryeqytetit nё kullёn shumëkatëshe mё tё lakmuar, me staf shumëgjuhësh dhe pajisje qindra mijëra eurosh arrin të kalojë pa u vënë re.
Edhe më domethënës është fakti që aktiviteti zhvillohej në një zonë të mbikëqyrur maksimalisht, ngjitur me institucione të rëndësisë së lartë, ku kamerat publike, patrullat dhe strukturat e rendit janë të pranishme 24 orë. Megjithatë, vetëm pasi u dekonspirua nga media italiane dhe u nis procedimi nga SPAK, u ndërhy për ta goditur rrjetin.
SPAK në njoftimin e tij thekson se grupi kishte “strukturë të sofistikuar sigurie” dhe “perimetra mbrojtës vëzhgimi”. Por ky argument, sado i vërtetë, nuk e shpjegon plotësisht se si një aktivitet i paligjshëm i kësaj shkalle arrin të zhvillohet në qendër të kryeqytetit pa u evidentuar nga hallkat shtetërore që kanë për detyrë të parandalojnë pikërisht këto fenomene.
Operacioni u mbyll me kapjen në flagrancë të disa personave që po transportonin pajisje kompjuterike dhe po përpiqeshin të asgjësonin prova materiale. Të arrestuarit në flagrancë janë Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi. Vetë fakti që pajisjet po largoheshin gjatë natës dhe ambientet po boshatiseshin tregon se rrjeti ishte tashmë në lëvizje për t’u zhdukur, pra dekonspirimi kishte ndodhur.
Megjithatë, në komunikimin zyrtar të SPAK, përgjegjësia vendoset tërësisht te “mirëorganizimi kriminal”, ndërsa asnjë institucion shtetëror nuk është prononcuar mbi boshllëqet institucionale që lejuan këtë aktivitet të lulëzonte për një kohë të gjatë, në qendër të Tiranës dhe në ndërtesa të profilit të lartë.
Në fund, kjo histori shtron një fakt të thjeshtë: skema të tilla mashtrimi nuk kanë funksionuar në periferi, por në zemër të kryeqytetit, në kulla prestigjioze, pranë institucioneve kyçe dhe para syve tanё. Kjo do të thotë se ose strukturat e rendit dhe të inteligjencës kanë dështuar plotësisht në zbulimin e tyre në kohë pёr nga paaftёsia, ose kanë zgjedhur të bёhen pjesё siҫ po tregon njё hetim paralel i SPAK. Por mund tё jetё dhe njё kombinimi i të dyjave.
Sido të jetë e vërteta, rezultati është i njëjtë: Shqipëria po ekspozohet ndërkombëtarisht si territor nga ku qytetarë europianë mashtrohen në mënyrë të organizuar. Kjo nuk është vetëm çështje kriminale, por edhe çështje reputacioni shtetëror.
Mё poshtё njoftimi i plotё i SPAK:
SPAK ndalon dhe arreston persona të përfshirë në veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rregjistroi procedimin penal nr.03/2026, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit Kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal,“Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Procedimi u regjistrua në datën 9.1.2026 në Byronë Kombëtare të Hetimit pas paraqitjes së gazetarëve italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, që trasnmetohet në Mediaset. Ata kanë dorëzuar materiale të punës së tyre.
Gjatë këtij hulumtumi është identifikuar një Qendër Thirrjesh (Call Center) që ndodhet në Tiranë, në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, nga ku, autorët e mirëorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedhave të ndryshme.
Investigimi mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Qendra e Thirrjeve. Gazetarët italianë mundën të infiltrojnë një shtetas italianë, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale tw menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundraligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese.
Duke iu referuar materialeve video bëhet fjalë për një Qendër Thirrjesh, që ndodhej në katin e 9-të dhe të 13-të të “Atti Tower”. Nga pamja e përgjithshme, dinamika e komunikimit dhe veprimet e personit që kryen regjistrimin apo edhe personave të tjerë, shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.
Pas regjistrimit të këtij procedimi penal, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur menjëherë puna për identifikimin e organizatorëve dhe dokumentimin e aktiviteti kriminal të mashtrimit.
Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.
Ekzistojnë indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 Janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve.
Pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme, nr.85, datë 15.1.2026, hetuesit e BKH-së konstatuan në datën 16 Janar 2026, boshatisjen e ambientit dhe largimin e pajisjeve dhe personelit. Falë veprimeve të shpejta dhe të pandërprera hetimore u bë i mundur identifikimi i personave dhe automjeteve të përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira në “Downtown One”, në Bulevardin Bajram Curri.
Pas kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancës, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, të cilat ishin duke i asgjësuar.
Në kushtet e kapjes në flagrancë është kërkuar mbështetja e punonjëve të Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë.
Shtetasin e arrestuar në flagrancë janë 6 persona me inicialet: R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M.,R.P.,O.K..
Gjithashtu, paralelisht me identifikimin e Qendrës së dytë të thirrjeve, në sajë të veprimeve verifikuese, janë nxjerrë dhe ekzekutuar urdhrat e ndalimit për shtetasit me inicialet; K.K. dhe H.XH., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në ecuri të veprimeve hetimore, në datë 17.1.2026, janë lëshuar dhe urdhrat e ndalimit për tre shtetas tw tjerw, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga netet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, të cilët nuk janë gjetur deri në këto momente.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi.Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.
Prokuroria e Posaçme vijon kryerjen e veprimeve hetimore për inventarizimin e të gjitha pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin, analizimin e tyre si dhe identifikimin e të gjithë viktimave të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.
Falenderojmë Policinë e Shtetit për mbështetjen e dhënë në fazën e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme si edhe gjatë veprimeve të mëtejshme për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Prokuroria e Posaçme falenderon në mënyrë të veçantë edhe stafin e emisionit investigativ italian “Le Iene” të “Mediaset”, falë punës të së cilëve, u bë e mundur inicimi dhe hetimi i këtij rasti të mashtrimit masiv në Qendrën e Thirrjeve në Shqipëri.
Gjithashtu, SPAK u tërheq vëmendjen qytetarëve dhe medias për fenomenin e mashtrimit online përmes Qendrave të Thirrjeve (Call Center) dhe kjo është një veprimtari që do vazhdojë të ndiqet me prioritet edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Nga ana tjetër, një apel u shkon edhe shtetasve që punojnë në këto qendra, për t’u ndërgjegjësuar dhe për t’u mos bërë pjesë e veprimtarive të paligjshme.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.





