Një park i kafshëve të egra në juglindje të Anglisë ka marrë një vendim të vështirë, duke ia nёnshtruar eutanazisё njё tufë tё tёrё ujqërish, pasi marrëdhëniet brenda grupit u përkeqësuan deri në dhunë të pakontrollueshme.
Tufa prej pesë ujqërish – Odin, Nuna, Minimus, Tiberius dhe Maximus – u vra pasi tre prej tyre pësuan plagë të rënda që rrezikonin jetën, si pasojë e konflikteve të vazhdueshme mes tyre. Sipas parkut Wildwood Trust, ndërhyrjet për të qetësuar situatën nuk dhanë rezultat, duke e lënë eutanazinë si zgjidhjen e fundit për të shmangur vuajtje të mëtejshme.
Drejtori i përgjithshëm i parkut, Paul Whitfield, theksoi se vendimi nuk u mor lehtë. Ai shpjegoi se ujqërit janë kafshë shumë sociale që jetojnë në struktura të ndërlikuara familjare dhe, kur këto prishen, mund të lindin konflikte serioze që rrezikojnë mirëqenien e tyre.
Sipas tij, mbajtja e ujqërve të ndarë për një kohë të gjatë nuk ishte një zgjidhje, pasi kjo do të shkaktonte stres dhe probleme të tjera për kafshët. Po ashtu, transferimi i tyre në tufa të tjera u konsiderua i rrezikshëm, pasi mund të çonte në përplasje të reja dhe dëmtime të tjera.
Parku e cilësoi vendimin si një masë të fundit, duke theksuar se në disa raste eutanazia mund të jetë opsioni më human kur nuk ka më mënyra për të garantuar mirëqenien e kafshëve.
Raste të ngjashme janë regjistruar edhe më parë në botë. Vitin e kaluar në Australi iu nёnshtruan eutanazisё dhjetëra balena të bllokuara në një plazh të largët në Tasmani, ndërsa në Gjermani një kopsht zoologjik vrau 12 babuinë për shkak të mungesës së hapësirës dhe pamundësisë për t’i zhvendosur.
(Burimi: CNN)






