Institucioni që kontrollon përdorimin e parave publike në Shqipëri do të kalojë vetë në një proces kontrolli. Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik mblidhet sot në orën 10:30 në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar fazën aktuale të procedurës përzgjedhëse të audituesve të pavarur që do të auditojnë llogaritë financiare të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitet 2024-2025. Procesi i nisur synon t’i përgjigjet një pyetjeje të thjeshtë, por thelbësore për funksionimin e shtetit: kush e kontrollon institucionin që kontrollon gjithë të tjerët?
Procedura për këtë auditim u shpall më 23 janar 2026 nga Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik, në zbatim të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili përcakton se llogaritë financiare të këtij institucioni duhet të auditohen nga një grup audituesish të pavarur të përzgjedhur nga Kuvendi. Vendimi i nënkomisionit hapi zyrtarisht garën për auditues ligjorë ose shoqëri audituese që dëshironin të merrnin pjesë në proces.
Sipas rregullave të miratuara, kandidatët duhet të plotësojnë një sërë kriteresh profesionale dhe integriteti. Ata duhet të kenë të paktën pesë vite eksperiencë në profesionin e audituesit ligjor, të mos kenë masa disiplinore në fuqi, të mos kenë të afërm të punësuar në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe të mos kenë qenë të angazhuar si auditues në kompani me kapital shtetëror mbi 50 për qind që janë audituar nga KLSH gjatë periudhës që do të kontrollohet. Gjithashtu kërkohet që të jenë të regjistruar në regjistrin publik të audituesve dhe të kenë eksperiencë në auditimin e njësive ekonomike me interes publik.
Pas publikimit të njoftimit, audituesit e interesuar kishin një afat 30-ditor për të paraqitur kandidaturat dhe dokumentacionin përkatës pranë Kuvendit. Pas mbylljes së aplikimeve, shërbimet e Kuvendit kryejnё verifikimin paraprak të dokumentacionit për të kontrolluar nëse kandidatët plotësojnë kriteret formale të përcaktuara në vendim.
Mbledhja e sotme e nënkomisionit pritet të jetë momenti kur do të bëhet filtrimi i parë politik dhe procedural i këtij procesi. Pas verifikimit paraprak, nënkomisioni duhet të miratojë listën e audituesve që plotësojnë kriteret dhe ta përcjellë atë tek Komisioni për Ekonominë dhe Financat. Në këtë komision më pas do të zhvillohet përzgjedhja e grupit të audituesve që do të kryejnë auditimin e llogarive të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa rezultati do të bëhet publik dhe do t’i njoftohet institucionit që do të auditohet. Grupi i audituesve të përzgjedhur do të ketë detyrën të analizojë dhe të kontrollojë mënyrën se si janë administruar fondet dhe llogaritë financiare të KLSH.
Në thelb, procesi që nis të marrë formë sot është një nga mekanizmat e rrallë institucionalë për të kontrolluar vetë institucionin që kontrollon të gjithë të tjerët. Kontrolli i Lartë i Shtetit është autoriteti që auditon përdorimin e parave publike nga ministritë, bashkitë dhe ndërmarrjet shtetërore, por edhe ai vetë duhet të japë llogari për mënyrën se si menaxhon fondet e tij. Për këtë arsye, përzgjedhja e audituesve të pavarur dhe raporti që ata do të dorëzojnë në muajt në vijim do të tregojnë jo vetëm se kush do ta kontrollojë KLSH-në, por edhe nëse institucioni që identifikon shkeljet financiare në administratë është vetë plotësisht i imunizuar nga çdo problem apo parregullsi në menaxhimin e parave publike.








