Rubén Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, njeriu që për vite me radhë u konsiderua si bosi më i kërkuar i drogës në Meksikë dhe një nga figurat më të rrezikshme të krimit të organizuar në botë, është vrarë gjatë një operacioni të forcave speciale meksikane. Sipas ministrisë së mbrojtjes, 59-vjeçari u plagos rëndë në përleshje me ushtrinë në shtetin e Jaliscos dhe ndërroi jetë gjatë transportimit drejt kryeqytetit, Mexico City.
Operacioni u zhvillua në qytetin Tapalpa dhe përfshiu një ndërhyrje të koordinuar të forcave speciale, Forcave Ajrore dhe Gardës Kombëtare. Katër anëtarë të kartelit Jalisco New Generation (CJNG) u vranë, ndërsa tre ushtarakë mbetën të plagosur. Autoritetet sekuestruan automjete të blinduara, armë të rënda dhe raketahedhës. Sipas deklaratave zyrtare, SHBA-të kishin ofruar informacion inteligjence që ndihmoi në lokalizimin e tij. Departamenti Amerikan i Shtetit kishte shpallur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për kapjen e tij.
Por vrasja e “El Mencho”-s nuk e ka mbyllur kapitullin e dhunës. Përkundrazi, sipas mediave ndërkombëtare, vendi është përfshirë nga një valë hakmarrjeje të koordinuar nga CJNG në të paktën tetë shtete. Janë djegur automjete në autostrada kryesore, janë ngritur postblloqe të armatosura dhe janë raportuar përleshje me forcat e sigurisë. Në Jalisco, transporti publik është pezulluar dhe autoritetet kanë shpallur kodin e kuq për qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi.

Pamje të shpërndara në rrjetet sociale dhe të verifikuara nga media si BBC dhe AP tregojnë re tymi mbi qytete si Guadalajara, një nga metropolet më të mëdha të vendit dhe qytet pritës i Kupës së Botës FIFA. Në Puerto Vallarta, një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në bregdetin e Paqësorit, mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar në hotele për shkak të trazirave dhe anulimeve të fluturimeve. Linjat ajrore amerikane United Airlines, American Airlines dhe Air Canada kanë pezulluar përkohësisht fluturimet drejt disa aeroporteve të prekura, ndërsa një fluturim nga Atlanta drejt Guadalajaras u devijua për arsye sigurie.
Autoritetet amerikane kanë lëshuar paralajmërime për qytetarët e tyre në disa shtete të Meksikës, duke rekomanduar strehim tё sigurt brenda dhe shmangie të udhëtimeve të panevojshme. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, u bëri thirrje qytetarëve për qetësi, duke deklaruar se në pjesën më të madhe të vendit jeta po vijon normalisht, por analistët paralajmërojnë se strukturat e CJNG-së janë mjaft të decentralizuara për të vijuar aktivitetin edhe pas eliminimit të liderit.
“El Mencho”, një ish-oficer policie që u ngjit në krye të botës së krimit pas vitit 2010, ndërtoi CJNG-në, një nga organizatat më të fuqishme dhe më brutale të trafikut të drogës në hemisferën perëndimore. Karteli i tij kontrollonte rrugë kyçe të trafikut të kokainës, metamfetaminës dhe veçanërisht fentanilit drejt SHBA-ve. Sipas të dhënave të Doganës dhe Patrullës Kufitare të SHBA-së, mbi 4,000 kilogramë fentanil janë sekuestruar që nga tetori 2024, 96% e të cilit në kufirin jugperëndimor me Meksikën.
Ekspertë të sigurisë theksojnë se vrasja e tij është një goditje e rëndë simbolike dhe operative, por paralajmërojnë për një periudhë të rrezikshme tranzicioni. Karteli CJNG ka histori të reagimeve të dhunshme, përfshirë rrëzimin e një helikopteri ushtarak me granatëhedhës dhe sulme të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve shtetërorë.
Ngjarja shihet si një moment kyç për presidenten Sheinbaum në luftën kundër karteleve dhe mund të forcojë bashkëpunimin me administratën amerikane, e cila ka ushtruar presion për masa më të ashpra kundër trafikut të drogës. Megjithatë, sfida më e madhe mbetet stabilizimi i situatës në terren dhe shmangia e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës që mund të prekë jo vetëm rajonet e kontrolluara nga CJNG, por edhe zonat turistike dhe ekonomike të vendit.
Vdekja e “El Mencho”-s mbyll epokën e një prej figurave më të frikshme të krimit të organizuar në Amerikën Latine, por për Meksikën pyetja tani është nëse kjo do të shënojë fillimin e dobësimit të kartelit, apo thjesht një riorganizim të tij në një fazë të re, potencialisht edhe më të paparashikueshme.







