Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, në një mbledhje që pritet të shoqërohet me debat të fortë politik, pasi në rendin e ditës përfshihet edhe votimi për çështjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Sipas rendit të publikuar të punimeve të parlamentit, seanca përfshin disa projektligje dhe marrëveshje ndërkombëtare, por vëmendja kryesore pritet të përqendrohet te pika që lidhet me votimin për heqjen e imunitetit të Ballukut, një çështje që ka ndezur përplasjen politike mes shumicës dhe opozitës.
Paralelisht me zhvillimet në sallën e parlamentit, Partia Demokratike ka thirrur mbështetësit e saj në protestë para Kuvendit, gjithashtu në orën 10:00, duke paralajmëruar ngujim nё Kuvend nёse nuk votohet pёr heqjen e imunitetit.
Ky zhvillim pritet të krijojë një klimë të tensionuar politike, me debat të fortë brenda sallës dhe presion protestash jashtë saj.
Policia e Tiranës ka njoftuar se për shkak të tubimit të paralajmëruar do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve në zonën përreth Parlamentit, ndërsa janë marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Seanca e sotme shihet si një nga momentet më të rëndësishme të ditëve të fundit në jetën parlamentare, pasi përplasja politike për çështjen e imunitetit pritet të dominojë diskutimet.
Mbetet për t’u parë nëse debati do të zhvillohet vetëm në planin institucional brenda sallës së Kuvendit, apo nëse edhe këtë herë seanca parlamentare do të shoqërohet me skena të forta politike, apo me “ngujim” siҫ ёshtё deklaruar publikisht.






