Për dekada me radhë, ideja e daljes në pension në mesin e të 60-ave ka qenë një pikë referimi për qytetarët në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë kanë ndërtuar jetën dhe planet financiare duke menduar se rreth kësaj moshe do të përfundonte periudha e punës dhe do të niste një fazë më e qetë e jetës.
Por zhvillimet e fundit po e ndryshojnë këtë pritshmëri. Diskutimet për të ardhmen e sistemit të pensioneve janë intensifikuar dhe gjithnjë e më shumë po flitet për mundësinë që mosha e pensionit të rritet përtej 67 viteve.
Aktualisht, mosha për përfitimin e pensionit shtetëror në Britani është 66 vjeç për shumë qytetarë, por ajo është planifikuar të rritet në 67 në vitet e ardhshme. Megjithatë, kjo mund të mos jetë ndalesa e fundit, pasi autoritetet po shqyrtojnë rritje të tjera të mundshme.
Arsyeja kryesore lidhet me jetëgjatësinë në rritje. Britanikët jetojnë më gjatë se brezat e mëparshëm, çka do të thotë se pensionet duhet të paguhen për më shumë vite. Kjo krijon presion mbi financat publike dhe e detyron qeverinë të rishikojë vazhdimisht moshën e pensionit për të garantuar që sistemi të mbetet i qëndrueshëm.
Përveç jetëgjatësisë, ndikojnë edhe faktorë të tjerë si rritja e shpenzimeve publike, ndryshimet në tregun e punës dhe presionet ekonomike mbi buxhetin shtetëror.
Kjo nuk nënkupton një ndryshim të menjëhershëm, por një sinjal të qartë se brezat e ardhshëm mund të duhet të punojnë më gjatë përpara se të përfitojnë pensionin shtetëror.
Në praktikë, kjo do të thotë që shumë punonjës – veçanërisht të rinjtë – mund të përballen me një jetë më të gjatë pune, ҫka ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si planifikohet e ardhmja: kursimet, vendimet për karrierën dhe strategjitë financiare.
Pensioni shtetëror në Mbretërinë e Bashkuar bazohet në kontributet e sigurimeve kombëtare. Zakonisht duhen rreth 35 vite kontribute për të marrë pensionin e plotë. Ndryshimi i moshës nuk prek mënyrën si llogariten këto kontribute, por përcakton kur mund të përfitohen.
Për pasojë, shumë ekspertë theksojnë se mbështetja vetëm te pensioni shtetëror mund të bëhet gjithnjë e më e vështirë. Pensionet private, kursimet personale dhe fondet e punës bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.
Ndryshimet ngrejnë edhe çështje të drejtësisë sociale. Jo të gjithë punonjësit kanë të njëjtën mundësi të vazhdojnë punën në moshë të madhe, sidomos ata qё profesionin e kanё tё lidhur me njё punё fizike. Kjo mbetet një sfidë e madhe për politikëbërësit.
Ndërkohë, qeveria rishikon periodikisht moshën e pensionit bazuar në të dhëna ekonomike dhe demografike, si jetëgjatësia, financat publike dhe kushtet e tregut të punës.
Qytetarёt janё tё paqartё dhe tё pasigurt, pasi planifikimi për pension nuk mund të mbështetet më te një moshë fikse. Fleksibiliteti, kursimi i hershëm dhe informimi i vazhdueshëm janë çelësi për të përballuar një realitet të ri.
Në fund, pensioni nuk është më thjesht një numër vitesh – por një ekuilibër mes sigurisë financiare dhe cilësisë së jetës në vitet e mëvonshme.
(Burimi: FSC)






