Aktori amerikan Peter Greene, i njohur për interpretimet e tij të fuqishme të personazheve negativë në filmat kult të viteve ’90, përfshirë Pulp Fiction, është gjetur i pajetë në apartamentin e tij në Manhattan, New York.
“Ishte një njeri i jashtëzakonshëm, perfeksionist dhe një nga aktorët më të mëdhenj të brezit tonë”, u shpreh agjenti i tij, Gregg Edwards, duke shtuar se Greene kishte planifikuar të niste xhirimet e një filmi të ri me Mickey Rourke, të titulluar Maskotat, në muajin janar.
Greene, 60 vjeç, me origjinë nga Montclair, New Jersey, pati një rini të vështirë dhe të trazuar. Në moshë shumë të re ai u largua nga shtëpia dhe kaloi disa vite në rrugët e New York-ut, duke u përballur me varësinë nga droga. Më vonë kërkoi trajtim, por beteja me varësinë e shoqëroi gjatë gjithë jetës së tij.
Karriera e tij në aktrim nisi pothuajse rastësisht, nëpërmjet qarqeve teatrore jashtë Broadway-t dhe skenave të lidhura me kinemanë e pavarur amerikane të fillimit të viteve ’90. Pika e kthesës erdhi në vitin 1993, kur regjisori Lodge Kerrigan e zgjodhi për rolin kryesor në filmin Clean, Shaven, një interpretim fizikisht dhe emocionalisht jashtëzakonisht i kërkuar. Ky rol e bëri Greene të vlerësohej nga kritika dhe i solli çmimin “Aktorit më i Mirë” në Festivalin e Filmit në Taormina në vitin 1994.
Po atë vit, ai u shfaq në Pulp Fiction të Quentin Tarantino, ku interpretoi Zed-in, rojen e sigurisë me natyrë sadiste, një nga personazhet më shqetësuese të filmit. Greene kishte shprehur fillimisht hezitim për ta pranuar rolin, për shkak të përmbajtjes së tij, por Tarantino këmbënguli dhe skena u riformulua në bashkëpunim me aktorin.
“Nuk mendoja se do të ishte një hap i mirë për karrierën time,” kishte treguar Greene në një intervistë të rrallë në vitin 2011, duke shtuar se versioni fillestar i skenës ishte shumë më eksplicit. “Ne ruajtëm gjuhën dhe nënkuptimin, por skena u zbut ndjeshëm,” shpjegonte ai.
Pas suksesit të Pulp Fiction, Greene vazhdoi të ndërtonte një karrierë të pasur, duke luajtur në filma të njohur si The Mask, ku interpretoi bosin e mafias Dorian Tyrell përballë Jim Carrey, si edhe në The Usual Suspects, Under Siege 2 dhe dhjetëra prodhime të tjera. Në total, ai numëron rreth 95 role në film dhe televizion.
Vdekja e Peter Greene shënon humbjen e një aktori me intensitet të rrallë, i cili, pavarësisht jetës së vështirë personale, la gjurmë të forta në kinemanë amerikane me interpretimet e tij të paharrueshme.
(Burimi: ANSA)






