Pas dhjetëra vitesh pa raste të regjistruara, lebra është raportuar sërish në dy vende të Evropës Lindore, Rumani dhe Kroaci. Autoritetet shëndetësore në të dy shtetet theksojnë se situata është nën kontroll dhe nuk përbën rrezik për popullatën e përgjithshme.
Në Rumani, autoritetet kanë konfirmuar katër raste të dyshuara të lebrës, 44 vjet pas rastit të fundit të regjistruar në vitin 1981. Sipas Ministrisë rumune të Shëndetësisë, një rast është konfirmuar, ndërsa tre të tjerët janë ende në vlerësim klinik dhe mikrobiologjik. Të gjitha rastet lidhen me gra me origjinë aziatike, të punësuara si terapiste masazhi në të njëjtin sallon në qytetin Cluj-Napoca, në Transilvani.
Autoritetet urdhëruan mbylljen e përkohshme të sallonit dhe nisën menjëherë hetimin epidemiologjik. Ministri i Shëndetësisë, Alexandru Rogobete, sqaroi se sapo fillon trajtimi farmakologjik, rreziku i transmetimit zvogëlohet deri në zhdukje, në përputhje me protokollet ndërkombëtare. Salloni iu nënshtrua dezinfektimit të plotë dhe të gjithë punonjësit u kontrolluan nga ana mjekësore.
Edhe Kroacia ka konfirmuar një rast të izoluar të lebrës, i pari pas më shumë se 30 vitesh. Rasti i fundit në vend datonte në vitin 1993. Sipas Institutit Kroat të Shëndetit Publik, pacienti është një punëtor me origjinë nga Nepali, i cili jeton në Kroaci prej dy vitesh me familjen e tij. Ai u paraqit në shërbimin epidemiologjik në Split me simptoma të përputhshme me sëmundjen dhe është vendosur menjëherë në trajtim.
Bernard Kaić, kreu i Shërbimit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive, bëri të ditur se kontaktet e ngushta të pacientit kanë marrë terapi parandaluese dhe janë nën monitorim mjekësor, ndërsa nuk është konstatuar asnjë infektim tjetër. “Situata është plotësisht nën kontroll”, theksuan autoritetet kroate.
Lebra, e njohur edhe si sëmundja e Hansenit, është një sëmundje kronike infektive që transmetohet vetëm përmes kontaktit të zgjatur me një person të infektuar dhe ka një ngjitshmëri shumë të ulët. Ajo shfaqet kryesisht me lezione të lëkurës dhe dëmtime të nervave periferikë, por sot konsiderohet plotësisht e shërueshme përmes një terapie që zgjat nga gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj.
Ekspertët shpjegojnë se rishfaqja sporadike e lebrës në Evropë lidhet me periudhën shumë të gjatë të inkubacionit, që mund të zgjasë nga disa muaj deri në mbi dhjetë vjet, si dhe me lëvizjet e shtuara ndërkombëtare. Sëmundja mbetet endemike në disa rajone të botës, kryesisht në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, por nuk kërkon masa të veçanta izolimi për pacientët që janë nën trajtim.
(Burimi: TGCOM)






