A do të vazhdojnë njerëzit të shkojnë në kinema në epokën e platformave dixhitale? Kjo është dilema që ka ngritur aktori i njohur Leonardo DiCaprio, i cili shpreh shqetësimin se përvoja e shikimit të filmave në kinema mund të humbasë rolin e saj qendror në kulturën popullore.
Në një intervistë për The Times, DiCaprio thekson se ndryshimet në industrinë e filmit po ndodhin me shpejtësi marramendëse. Sipas tij, publiku po mësohet gjithnjë e më shumë të presë që filmat të shfaqen drejtpërdrejt në platformat e transmetimit, duke e lënë kinemanë në plan të dytë.
“Ndryshimi po ndodh me shpejtësinë e dritës. Dokumentarët pothuajse janë zhdukur nga kinematë, dramat qëndrojnë shumë pak në ekran dhe shumica e njerëzve presin që filmat të dalin online”, shprehet aktori. Ai nuk përjashton që kinemaja të mbijetojë, por frikësohet se ajo mund të shndërrohet në një përvojë elitare, të ngjashme me klubet e xhazit, e destinuar vetëm për një rreth të ngushtë adhuruesish.
“A ekziston ende dëshira për të shkuar në kinema?”, pyet DiCaprio, duke lënë të hapur mundësinë që kjo përvojë të dalë gradualisht jashtë kulturës kryesore.
Deklaratat e tij vijnë në një moment të rëndësishëm për karrierën e aktorit. Filmi ku ai luan, “A Battle After Another”, me regji të Paul Thomas Anderson, u shpall filmi më i mirë i vitit 2025 nga Shoqata e Kritikëve të Filmit në Hollywood. Në edicionin e 31-të të Critics’ Choice Awards, filmi fitoi gjithashtu çmimet për Regjinë më të Mirë dhe Skenarin më të Mirë të Përshtatur, duke u konsideruar një nga veprat më të vlerësuara të vitit.
Shoqata Critics Choice, e përbërë nga mbi 500 gazetarë të argëtimit, ishte institucioni i parë i Hollywood-it që vlerësoi filmat e vitit 2025, duke hapur zyrtarisht sezonin e çmimeve përpara ceremonisë së madhe të marsit.
(Burimi: The Times)






