Sulmi i SHBA-Izrael mbi Iranin, ekspozoi Libanin në këtë luftë tashmë 12 ditore. Libani me 5.3 milion banorë, në kufij me Izraelin, ka kryeqytet Bejrutin, një nga qytetet e banuara më të vjetër në botë, 5000 vjeçar.
Hezbollah-u, një “Proxi” e Iranit është një grup militant “shiit islamik” dhe formacion politik libanez që vepron si një krah paraushtarak i Iranit në Libanin lindor. Ata vetëquhen “Blloku i Besnikërisë ndaj Rezistencës” dhe janë të përbetuar kundër hebrenjve izraelitë.
Mbrëmë në akord me Iranin, grupi sulmoi pjesën veriore të Izraelit, me 200 raketa dhe 20 drone kamikaze, sulmi më i madh i ardhur nga Hezbollah në këto dy javë luftime.
Ushtria izraelite nga ana e saj në gjithë këtë periudhë lufte ka bombarduar Bejrutin dhe pjesë të tjera të Libanit duke kërkuar të shkatërrojë bërthamat e grupit pro-iranian. Por sulmet izraelite kanë shkaktuar dëme të mëdha në popullsinë civile që është shpërngulur nga pjesa jugore e Libanit, për shkak të lajmërimeve të IDF (Komanda e Ushtrisë së Izraelit) që të evakuohet zona ku do bombardohen.
Qeveria e Libanit ndjehet e pafuqishme që të mbrojë popullsinë e saj si nga Izraeli që bombardon, ashtu dhe nga Hezbollah që kundërpërgjigjet nga brenda territorit libanez.


800 000 njerëz janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre të bombarduara dhe dëmtuara duke migruar brenda Libanit të mbetur në mes të katër rrugëve, pa para, pa shtëpi dhe pa ushqime. Shumica e tyre flenë nëpër makina ose te njerëz të afërm pasi shteti nuk mund t’u përgjigjet dot.
Lufta ndërmjet Iranit dhe aleatëve Izrael SHBA po merr përmasa të jashtëzakonshme në Liban. Dëmet dhe efektet e saj janë të pallogaritshme vetëm në ditën e 12 të saj.


(Burimi: Al Jazeera)






