Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, ka deklaruar se taktikat ushtarake të përdorura nga Irani në sulmet me dronë në Lindjen e Mesme mund të mbajnë gjurmët e ndikimit rus, duke sugjeruar se pas tyre mund të fshihet “dora e fshehtë” e presidentit rus Vladimir Putin.
Deklarata erdhi pas një nate sulmesh me dronë ndaj një baze ushtarake në Erbil, në Irakun verior, ku ndodhej edhe personel ushtarak britanik. Sipas autoriteteve britanike, disa dronë goditën bazën, ndërsa një ekip britanik kundër-dronësh arriti të rrëzonte dy të tjerë. Nuk u raportuan viktima britanike.
Sipas britanikёve, pilotët iranianë të dronëve dhe grupet e lidhura me Teheranin po adoptojnë gjithnjë e më shumë taktika të përdorura nga ushtria ruse.
Pilotët iranianë po i fluturojnë dronët në lartësi shumë më të ulëta, gjë që e bën më të vështirë zbulimin dhe rrëzimin e tyre. Kjo taktikë e ka bërë armën e njohur Shahed një nga mjetet më efektive të Iranit ndërsa konflikti po hyn në javën e tretë.
Irani ka lëshuar tashmë më shumë se 2,000 dronë Shahed në rajon si përgjigje ndaj sulmit të përbashkët SHBA-Izrael, të nisur më 28 shkurt.
Ndërkohë, Teherani ka sinjalizuar se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian në emër të Mojtaba Khameneit, i cili pasoi të atin si udhëheqës suprem pas vrasjes së tij në fillim të luftës, u theksua se Irani do të vazhdojë sulmet ndaj bazave amerikane në rajon dhe do të mbajë të mbyllur Ngushticën e Hormuzit.
(Burimi: The Guardian)






