Lufta e nisur nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit rrezikon të kthehet në një kurth politik dhe strategjik për presidentin amerikan Donald Trump, sipas një analize të botuar nga media britanike The Independent.
Edhe pse Trump ka deklaruar se lufta mund të përfundojë “shumë shpejt”, realiteti në terren tregon se situata është shumë më e ndërlikuar, sidomos për shkak të bllokimit të ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës dhe gazit në botë.
Sipas analizës, një nga pasojat më të mëdha të këtij konflikti është se ai po i jep një avantazh të madh Rusisë. Me lehtësimin e disa sanksioneve ndaj shitjes së naftës ruse, Kremlini po përfiton nga kriza energjetike globale duke shitur më shumë naftë dhe gaz me çmime të larta. Kjo, sipas ekspertëve, mund të ndihmojë Moskën të financojë më tej luftën në Ukrainë.
Për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kjo situatë shihet si një tjetër goditje, pasi ndërkohë që Ukraina vazhdon të përballet me pushtimin rus, vëmendja ndërkombëtare është zhvendosur drejt konfliktit në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar se nuk do të hapë ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike nga ku kalon një pjesë e madhe e naftës botërore. Teherani ka sinjalizuar se dëshiron që çmimi i naftës të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi, një nivel që mund të ketë pasoja serioze për ekonominë globale.
Nëse lufta vazhdon dhe çmimet e energjisë mbeten të larta, ekonomitë perëndimore mund të përballen me inflacion të ri dhe rritje të kostos së jetesës, duke ndikuar edhe në çmimet e karburantit dhe energjisë.
Analiza thekson se SHBA është aktualisht evetmja forcë ushtarake që mund të hapë ngushticën e Hormuzit dhe të rikthejë qarkullimin normal të energjisë, gjë që e bën të vështirë për Trump të tërhiqet nga konflikti, edhe nëse ai do ta dëshironte.
Ekspertët sugjerojnë se zgjidhja më e shpejtë për të ulur tensionet do të ishte rikthimi i negociatave për programin bërthamor iranian, një marrëveshje e ngjashme me atë të vitit 2015, e cila u anulua gjatë mandatit të parë të Trump.
Sipas analizës, vetëm një marrëveshje diplomatike mund të ndalë përshkallëzimin e konfliktit dhe të shmangë një krizë të re ekonomike globale.
(Burimi: The Indipendent)






