Lufta mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e tretë, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të përshkallëzohen dhe ndikimi i konfliktit po ndihet edhe në ekonominë globale.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të kërkojë shtyrjen e vizitës së planifikuar në fund të muajit në Pekin për t’u takuar me presidentin kinez Xi Jinping, duke theksuar se situata e luftës kërkon praninë e tij në SHBA.
“Ne kemi një luftë në zhvillim. Mendoj se është e rëndësishme që të jem këtu”, tha Trump, duke shtuar se vizita mund të shtyhet për në fillim të muajit maj.
Aleatët refuzojnë kërkesën e Trump
Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan kritikoi disa aleatë të SHBA-së për mosgatishmërinë për të dërguar anije luftarake për të shoqëruar cisternat dhe anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Trump tha se për dekada të tëra SHBA ka mbrojtur vendet aleate dhe tani ato nuk po tregojnë të njëjtën gatishmëri për të ndihmuar.
“Për 40 vjet ne ju kemi mbrojtur dhe tani nuk doni të përfshiheni në diçka shumë të vogël?”, u shpreh ai.
Megjithatë disa vende kanë refuzuar hapur kërkesën amerikane. Ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius deklaroi se Gjermania nuk do të përfshihet në operacion.
“Kjo nuk është lufta jonë, nuk e kemi nisur ne atë,” tha ai.
Edhe Japonia, Italia dhe Australia kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në operacionin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Bashkimi Evropian ka deklaruar se nuk do të zgjerojë operacionet detare në rajon.
Nga ana tjetër, vende si Franca, Koreja e Jugut dhe Britania e Madhe janë treguar më të rezervuara, duke mos dhënë një përgjigje të qartë për momentin.
Konflikti përhapet në rajon
Ndërkohë lufta ajrore mes SHBA-Izrael dhe Iranit po intensifikohet. Sipas raportimeve nga terreni, Teherani dhe disa qytete të tjera iraniane si Shirazi, Isfahani dhe Tabrizi janë goditur sërish nga sulme ajrore.
Një nga sulmet goditi një qendër shpërndarjeje të energjisë elektrike në lindje të Teheranit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë për disa orë.
Paralelisht, Izraeli ka zgjeruar operacionet ushtarake edhe në Libanin jugor, ku po përballet me militantët e Hezbollahut të mbështetur nga Irani. Sipas autoriteteve libaneze, më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, një shifër që përbën rreth një tё gjashtën e banorëve të vendit.
Në total, lufta që nisi më 28 shkurt ka shkaktuar mbi 2,000 viktima dhe ka përfshirë një pjesë të madhe të Lindjes së Mesme.
Ndikimi në tregjet globale
Konflikti ka tronditur edhe tregjet energjetike. Çmimi i naftës Brent arriti përkohësisht në 106 dollarë për fuçi, përpara se të bjerë rreth 100 dollarë.
Megjithatë, edhe me këtë rënie, çmimet e naftës mbeten rreth 40% më të larta se para fillimit të luftës.
Ndërkohë, SHBA ende nuk ka nisur operacionin për të garantuar sigurinë e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa administrata amerikane pranon se situata ka qenë më e ndërlikuar sesa pritej për shkak të kundërpërgjigjes së Iranit.
Konflikti vazhdon të mbetet një nga krizat më të mëdha gjeopolitike të momentit, me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë rajonale dhe ekonominë globale.






