Konflikti në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme, ndërsa bombardimet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit dhe Libanit vazhdojnë për të katërtën ditë radhazi. Sipas raportimeve të fundit, numri i viktimave në rajon ka kaluar 800 të vdekur, ndërsa sulmet dhe kundërsulmet po zgjerohen në disa vende të rajonit.
Sulmet ajrore kanë goditur një sërë objektivash në Iran dhe Liban. Një nga goditjet më të fundit është raportuar pranë një hoteli në Bejrut, ndërsa në Iran është goditur edhe ndërtesa e Asamblesë së Ekspertëve në qytetin e shenjtë të Qomit. Në të njëjtën kohë, Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës së Hezbollahut në kryeqytetin libanez.
Ndërkohë, Irani po vazhdon kundërsulmet kundër objektivave amerikane dhe izraelite në rajon. Sulme janë raportuar ndaj konsullatës së SHBA-sё në Dubai dhe ndaj një porti në Fujairah të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa përplasjet ushtarake po shtrihen në disa vende të Lindjes së Mesme.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA është gati të dërgojë anije luftarake për të shoqëruar ҫisternat e naftës në Ngushticën e Hormuzit, pasi Irani deklaroi se kjo rrugë strategjike detare është e mbyllur. Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të energjisë dhe çdo ndërprerje aty po krijon tronditje të menjëhershme në tregjet e energjisë dhe ekonominë botërore.
Pasojat ekonomike tashmë po ndihen në tregjet ndërkombëtare. Bursat aziatike kanë pësuar rënie të forta nga frika se një luftë më e gjerë në rajon mund të shkaktojë një krizë të re të naftës dhe rritje të inflacionit. Rënia më e madhe u regjistrua në Seul, ku tregu i aksioneve u rrëzua me 12% në një ditë, niveli më i madh i rënies në histori. Brenda dy ditësh, tregu ka humbur mbi 18% të vlerës së tij, ndërsa valuta vendase ka rënë në nivelin më të ulët në 17 vite. Edhe Nikkei në Japoni ra 3.9%, ndërsa tregu i Tajvanit humbi 4.3%.
Në terren, situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar. Garda Revolucionare Iraniane pretendon se ka rrëzuar disa dronë të tipit Hermes, që sipas saj janë përdorur nga SHBA ose Izraeli, ndërsa një tjetër sulm me dron goditi një ndërtesë në Sulaimaniyah në Irak, ku një roje sigurie mbeti e plagosur.
Paralelisht me zhvillimet ushtarake, përplasja po zhvendoset edhe në planin politik. Presidenti Trump po përballet me kritika të forta nga ligjvënësit demokratë në SHBA, të cilët e akuzojnë se nuk ka dhënë justifikim të mjaftueshëm për sulmet ndaj Iranit dhe paralajmërojnë se vendi mund të rrëshqasë drejt një konflikti të gjatë ushtarak me përfshirje edhe të trupave tokësore.
Në të njëjtën kohë, tensione janë shfaqur edhe mes SHBA-së dhe aleatëve europianë. Trump ka kërcënuar Spanjën me ndërprerje të marrëdhënieve tregtare, pasi Madridi refuzoi që bazat ushtarake të përbashkëta me SHBA të përdoren për operacionet kundër Iranit. Si reagim, SHBA zhvendosi disa avionë ushtarakë nga bazat në jug të Spanjës.
Ndërsa sulmet vazhdojnë dhe frontet e konfliktit po zgjerohen nga Irani dhe Izraeli drejt Libanit, Irakut dhe Gjirit Persik, analistët paralajmërojnë se situata mund të përshkallëzohet në një konflikt rajonal shumë më të gjerë, me pasoja të rënda për sigurinë dhe ekonominë globale.
(Burimi: Al Jazeera)






