Ndërsa ish-presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, përgatitet për seancën e radhës gjyqësore në SHBA, një panoramё e dyfishtë po shfaqet për jetën e tij në burg. Nga njëra anë, djali i tij përpiqet të japë një imazh optimist, duke thënë se ai është “i fortë” dhe stërvitet çdo ditë. Por nga ana tjetër, burime dhe ekspertë që njohin nga afër burgun famëkeq në Brooklyn japin një realitet shumë më të ashpër.
Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, ndodhen prej më shumë se 80 ditësh në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan (MDC) në Brooklyn, një institucion federal i njohur për kushtet e rënda dhe për faktin se ka mbajtur edhe figura të njohura si Ghislaine Maxwell apo reperin Sean “Diddy” Combs.
Por jeta brenda këtij burgu konsiderohet nga shumë si “ferr mbi tokë”.

Ekspertët thonë se për një figurë si Maduro, masat janë edhe më të ashpra. Ai ka shumë gjasa të mbahet në izolim pothuajse total – deri në 23 orë në ditë brenda një qelie të vogël. Ushqimi i jepet përmes një dritareje të vogël në derë, ndërsa kontakti me të burgosurit e tjerë është pothuajse zero. Edhe një orë e vetme që mund t’i lejohet jashtë qelisë zakonisht kalon në ambiente të kontrolluara, që shpesh përshkruhen si “kafaze të hapura”.
Maduro ka shumë gjasa të ndodhet në një sektor të veçantë sigurie, i njohur si “Special Housing Unit”, që është niveli më i lartë i kufizimit brenda burgut. Aty çdo lëvizje monitorohet dhe komunikimi është minimal.
Edhe pse ndodhen në të njëjtin burg, Maduro dhe bashkëshortja e tij nuk mund të takohen. Në sistemin federal amerikan, burrat dhe gratë mbahen në sektorë të ndarë dhe nuk lejohen të komunikojnë për të shmangur ndërhyrjet në procesin gjyqësor. Çdo kontakt i mundshëm ndodh vetëm nën mbikëqyrje të rreptë dhe zakonisht në prani të avokatëve.
Kontakti me botën e jashtme është gjithashtu shumë i kufizuar. Vizitat duhet të miratohen paraprakisht, telefonatat janë të shkurtra dhe të monitoruara – në disa raste vetëm një herë në muaj – ndërsa interneti është i ndaluar.
Një nga problemet më të diskutuara për këtë burg është ushqimi. Avokatë dhe ish-të burgosur kanë denoncuar prej vitesh se ushqimi është i skaduar, i papjekur mirë apo i ndotur. Ka pasur raste kur në ushqim janë gjetur edhe krimba, sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë. Edhe pse autoritetet federale i kanë mohuar disa prej këtyre akuzave, ankesat vazhdojnë.
Edhe aktiviteti fizik është i kufizuar. Në shumë raste, të burgosurit detyrohen të ushtrohen brenda qelisë: pompa, ushtrime barku apo thjesht ecje në vend. Për shumë prej tyre, këto rutina janë mënyra e vetme për të përballuar stresin, ankthin dhe izolimin.
Qendra MDC në Brooklyn është kritikuar vazhdimisht për mbipopullim, kushte të këqija higjienike, mungesë shërbimesh mjekësore dhe probleme me sigurinë. Raporte të Departamentit të Drejtësisë kanë evidentuar dhunë, kontrabandë armësh dhe kushte ekstreme temperaturash – nga i ftohti i madh deri te nxehtësia përvëluese në qeli.
Edhe pse autoritetet pretendojnë se kushtet janë përmirësuar, shumë avokatë dhe organizata të të drejtave të njeriut thonë se realiteti mbetet i rëndë.
Seanca e radhës e Madurës dhe Flores është planifikuar për 26 mars dhe pritet të jetë një moment i rëndësishëm për ecurinë e çështjes. Ajo mund të japë gjithashtu edhe pamjen e parë publike të çiftit pas muajsh në paraburgim – një mundësi për të parë nëse ata vërtet po e përballojnë këtë realitet, apo nëse jeta pas hekurave është shumë më e ashpër sesa përshkruhet nga familjarët e tyre.
(Burimi: CNN)






