A e kanë treguar ndonjëherë fotografitë të vërtetën? Njëqind e pesëdhjetë vjet përpara chatbot-eve të sotme të inteligjencës artificiale dhe falsifikimeve të thella, fotografët krijonin manipulime të jashtëzakonshme që mashtronin syrin dhe sfidonin idenë e realitetit.
Manipulimi i imazheve dhe mosbesimi ndaj mediave vizuale që konsumojmë sot po shkaktojnë shqetësime tё shumta. Chatbot-i kontrovers i Elon Musk, Grok, i cili nxiti reagime të forta pasi u përdor për të ndryshuar imazhe njerëzish në mënyrë që të dukeshin të zhveshur, është vetëm shembulli më i fundit i mjeteve të sofistikuara që mund të falsifikojnë fotografi dhe, në disa raste, të shkaktojnë dëme serioze. Në janar, pas kritikave të shumta, ky funksion u çaktivizua për shumicën e përdoruesve dhe Komisioni Evropian nisi një hetim mbi përdorimin e tij. Por duket se do të duhet më shumë se kaq për të rikthyer besimin tek fotografia.
Që nga ditët e para të programeve për përpunimin e imazhit në vitet 1990, zhvillimet në manipulimin digjital na kanë bërë t’i shohim fotografitë me gjithnjë e më shumë dyshim. Megjithatë, ekspozita e fundit në Rijksmuseum ngre një pyetje thelbësore: a e kanë thënë ndonjëherë fotografitë të vërtetën?
E përqendruar në imazhe të realizuara midis viteve 1860 dhe 1940, ekspozita “Fake! Early Photo Collages and Photomontages” nga koleksioni i Rijksmuseum argumenton se falsifikimi i imazheve nuk është një dukuri e kohëve moderne dhe se, kur përdoret me zgjuarsi, mund të ketë edhe vlera krijuese. Nga kolazhet me gërshërë e ngjitës te mashtrimet e realizuara në dhomat e errëta të zhvillimit fotografik, fotografët kanë shijuar gjithmonë lojën me perceptimin e publikut. “Manipulimi i imazheve ka ekzistuar aq kohë sa vetë fotografia”, thotë për BBC kuratori Hans Rooseboom. “Është pjesë e gjithë historisë së saj.”
Ja 10 imazhe që tregojnë fillimet e mashtrimit fotografik:
1. Ëndërrim me sy hapur (rreth viteve 1870–1890), anonim
Një grua dhe partneri i saj paraqiten në të tashmen, ndërsa mbi ta projektohet një e ardhme e imagjinuar – ëndrra e saj për t’u bërë nënë. Imazhi u krijua me një truk të dhomës së errët: një pjesë e letrës fotografike u mbrojt nga drita dhe më pas iu shtua një negativ i dytë. Fotografia hyn kështu në një dimension të ri, duke sugjeruar mendime dhe ndjenja të brendshme.

2. Burrë i tronditur nga reflektimi i tij (rreth viteve 1870–1880), Leonard de Koningh
Fotografi ekspozoi gjysmën e pllakës, më pas kërkoi nga subjekti të ndryshonte pozë për të ekspozuar gjysmën tjetër. Kalimi është i padukshëm. “Është si një magjistar”, thotë Rooseboom. Rejlander, një pionier i këtij lloji imazhi, argumentonte se një negativ i vetëm nuk mund të jetë plotësisht i vërtetë, pasi fokusi nuk mund të jetë kudo.

3. Prerja e kokës (rreth viteve 1880–1900), FM Hotchkiss
Heqja dhe zhvendosja e kokës së një personi ishte një sfidë teknike dhe argëtuese. Deri në vitet 1930 nuk ekzistonin kufizime të forta etike mbi manipulimin. Në këtë rast, vetëm detaje të vogla, si vendosja e perdes dhe retushimet mikroskopike, zbulojnë mashtrimin.

4. Fotomontazh i një burri me një kokë në karrocë (rreth viteve 1900–1910), anonim
I krijuar nga dy negativa dhe publikuar në revistën La Nature, ky imazh luan me shkallën dhe realitetin, duke paraprirë surrealizmin. “Është e pamundur, por është aty, në një imazh që pretendon të tregojë një skenë të vërtetë”, thotë Rooseboom.

5. Duke nxjerrë patat tona në treg (1909), Martin Post Card Company
Një kartolinë nga “Epoka e Artë” e kartolinave amerikane, që paraqet pata gjigante si simbol i bollëkut bujqësor. Manipulimi shërben si mjet marketingu dhe si pararendës i estetikës surrealiste.

6. Makinë që lundron mbi Mulberry Bend Park, Nju Jork (1908), Theodor Eismann
Një vizion i së ardhmes ku makinat fluturojnë. Imazhi është ngjyrosur më vonë, por mbetet po aq i sajuar. Fotografia këtu nuk dokumenton, por imagjinon.

7. Reklamë për Motrat Transfield (rreth viteve 1904–1918), anonim
Fotomontazhi përdor madhësi dhe kënde të ndryshme për të krijuar një gjuhë vizuale dinamike. “Kjo lojë midis asaj që mund të besosh dhe asaj që nuk mund të besosh është thelbi i këtyre imazheve”, shpjegon Rooseboom.

8. Përplasja midis një makine dhe një ruli me avull (1915), Alfred Stanley Johnson Jr.
Një skenë komike dhe dinamike, e krijuar nga disa imazhe të mbivendosura. Sipas ekspozitës, shumica e fotomontazheve të hershme nuk synonin mashtrim, por argëtim.

9. Kolazh fotografish (1929), Albert Huyot
Kolazhet ishin hobi popullor. Huyot, i ndikuar nga Dadaizmi dhe Kubizmi, përdor fragmente fotografike për të krijuar forma të reja artistike. Fotografia, sipas László Moholy-Nagy, nuk duhet të kufizohet në regjistrimin e realitetit, por të eksplorojë gjuhën e saj vizuale.

10. Mimika (1934), John Heartfield
Në një kthesë të fortë politike, Heartfield paraqet Joseph Goebbels duke maskuar Hitlerin si Karl Marx për të mashtruar punëtorët. Fotomontazhi përdoret për të zbuluar manipulimin e pushtetit. Vepra të tilla krahasohen me memet politike të sotme: manipulimi i imazhit mund të mashtrojë, por edhe të zbulojë.

Ekspozita dëshmon se fotografia nuk ka qenë kurrë një pasqyrë e thjeshtë e realitetit. Ajo ka qenë gjithmonë një hapësirë loje, ideje, satire dhe propagande. Manipulimi i imazhit mund të na çojë në gabim – por, ndonjëherë, mund të na ndihmojë edhe të kuptojmë më mirë të vërtetën.
(Burimi: BBC)






