Një histori e pazakontë martesore ka hapur debat mbi kufijtë e dashurisë, sakrificës dhe detyrimit emocional brenda një marrëdhënieje. Një burrë, i martuar prej shumë vitesh dhe që thotë se ende e do thellësisht bashkëshorten e tij, ka rrëfyer se gjatë vitit të fundit ajo kishte një lidhje jashtëmartesore — me dijeninë dhe pëlqimin e tij.
Sipas tij, gruaja i kishte shpjeguar se kjo lidhje i jepte ndjenjë gjallërie, lirie seksuale dhe energjie personale, dhe se nuk donte ta bënte fshehurazi. Ai pranoi, duke besuar se kjo nuk do ta rrezikonte martesën e tyre. Megjithatë, sa herë ajo largohej për të qenë me partnerin tjetër, ai përjetonte dhimbje të thellë, edhe pse racionalisht përpiqej ta pranonte situatën.
Së fundmi, gruaja vendosi ta mbyllë lidhjen, duke pranuar se barra emocionale ishte bërë e papërballueshme për të dy. Por tani rolet janë përmbysur: ajo po vuan dhe po e përjeton ndarjen si humbje, ndërsa ai ndihet i çliruar. Dhe këtu lind pyetja që ai ia drejton një psikologu të njohur: A ka detyrim ta ngushëllojë për një dhimbje që vjen nga diçka që ka plagosur edhe vetë atё?
Ai thotë se i kupton ndjenjat e saj dhe kujdeset për të, por njëkohësisht mendon se nuk është përgjegjës ta ngushëllojë për këtë lloj humbjeje. “Në këtë moment nuk ndjej keqardhje për të,” rrëfen ai, duke pranuar se përjetimet e tyre emocionale janë në drejtime të kundërta.
Kwame Anthony Appiah, profesor filozofie dhe këshilltar i njohur për çështje morale, përgjigjet se emocionet nuk janë diçka që njerëzit i kontrollojnë me vullnet. Ai është i lehtësuar, ajo është e trishtuar — dhe asnjëri nuk mund ta zgjedhë thjesht të ndihet ndryshe.
Sipas tij, të dy kanë bërë lëshime për hir të martesës. Burri ka pranuar diçka që thellë brenda vetes nuk e kishte të lehtë, ndërsa gruaja më pas ka hequr dorë nga diçka që e bënte të ndihej e gjallë. Në sfond, thotë ai, shpesh fshihen ultimatumet e pathëna që mbajnë një marrëdhënie në ekuilibër të brishtë.
Megjithatë, Appiah sugjeron se ngushëllimi nuk kërkon domosdoshmërisht ndarje të së njëjtës dhimbje. Një nga dhuratat e dashurisë në martesë është aftësia për të qëndruar pranë tjetrit edhe kur ndjenjat nuk përkojnë. Ta mbështesësh dikë që vuan nuk do të thotë se je dakord me atë që e shkaktoi vuajtjen.
Në fund, këshilla e tij është e qartë: kjo situatë ka shtresa emocionale që vështirë zgjidhen vetëm. Një bisedë e hapur me një këshilltar martesor mund t’i ndihmojë të dy të gjejnë një mënyrë për t’i dhënë vend ndjenjave të tyre pa u shkëputur nga njëri-tjetri.
Sepse, siç nënkupton historia, në marrëdhënie të gjata dashuria shpesh nuk matet vetëm me besnikëri apo sakrificë, por edhe me aftësinë për të përballuar së bashku pasojat e zgjedhjeve të vështira.
(Burimi: Pёrshtatur nё shqip nga Kwame Anthony Appiah, The New York Times)






