Filmi më i ri shqiptar “Me fat” erdhi premierë për publikun në 12 mars, duke sjellë në ekran një histori që flet për realitetin e përditshëm të shoqërisë shqiptare, përmes gjuhës së bukur të kinemasë.
Në një kohë kur vëmendja publike shpesh dominohet nga përplasjet politike dhe lajmet e kronikës, ky produksion zgjedh të vendosë në qendër familjen, institucionin më të rëndësishëm dhe më të brishtë të shoqërisë, duke përcjellë mesazhe për marrëdhëniet njerëzore, sfidat dhe shpresën.
Një nga surprizat e këtij projekti është pjesëmarrja e Monika Kryemadhit, e cila shfaqet jo vetëm si producente, por edhe si aktore në film. Ajo e përshkruan jetën e saj si një histori që mund të shndërrohej lehtësisht në film.
“Edhe ajo mund të bëhet. Do kem konkurrencë se dikush bën libër, unë bëj film”, shprehet ajo me humor në një intervistë.
Kryemadhi tregon se projekti filmik erdhi në një moment të vështirë të jetës së saj, duke u shndërruar në një mundësi për të nisur një rrugë të re.
Në qendër të historisë është personazhi Mefos, një i ri që përfaqëson ëndrrat, sfidat dhe realitetin me të cilin përballen shumë të rinj shqiptarë. Mes një jete të vrullshme dhe plot pengesa, ai përpiqet të ndjekë pasionet dhe ëndrrat e tij.
Dashuria e tij për boksin sjell në kast edhe Alban Xhihanin, i cili shfaqet për herë të parë në një rol në film, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e tij të njohur si komentator sportiv.







