Atletët që do të ngjiten në podium në Lojërat Olimpike Dimërore në Itali këtë muaj do të marrin medaljet më të shtrenjta në historinë e eventit, falë rritjes së fortë të çmimeve të arit dhe argjendit në tregjet ndërkombëtare.
Mbi 700 medalje ari, argjendi dhe bronzi do t’u dorëzohen sportistëve më të mirë të disiplinave dimërore. Edhe pse vlera emocionale e tyre është e paçmueshme, në aspektin financiar medaljet vlejnë më shumë se kurrë më parë.
Sipas të dhënave të FactSet, që nga Lojërat Olimpike të Parisit 2024, çmimi i arit është rritur rreth 107%, ndërsa ai i argjendit me afro 200%. Si rezultat, një medalje e artë vlerësohet sot rreth 2,300 dollarë – më shumë se dyfishi i vlerës së saj dy vite më parë. Medalja e argjendtë arrin pothuajse 1,400 dollarë, gati trefish krahasuar me të kaluarën.
Rritja e çmimeve është nxitur nga kërkesa e lartë e investitorëve për metale të çmuara, të cilat shihen si asete të sigurta në një klimë globale të pasigurt politike dhe ekonomike. Bankat qendrore gjithashtu kanë shtuar rezervat e arit, duke ndikuar në këtë trend.
Megjithatë, jo gjithçka që shkëlqen është ar i pastër. Nga rreth 506 gramë që peshon një medalje e artë, vetëm gjashtë gramë janë ar; pjesa tjetër është argjend. Medaljet e bronzit, të prodhuara nga bakri dhe me peshë rreth 420 gramë, kanë një vlerë materiale modeste – rreth 5.60 dollarë secila.
Medaljet prodhohen nga metale të ricikluara nga Instituti Shtetëror i Monedhës dhe Poligrafit i Italisë. Ndërkohë, medaljet e arta nuk janë bërë nga ari i pastër që prej Lojërave të vitit 1912 në Stokholm.
Edhe pse rrallë dalin në treg, medaljet olimpike mund të arrijnë çmime shumë më të larta si objekte koleksioni. Një medalje ari e vitit 1912 u shit për rreth 26 mijë dollarë në vitin 2015, ndërsa edhe medalje pa vlerë të madhe materiale janë kërkuar për shkak të simbolikës së tyre historike.
Ekspertët parashikojnë se trendi mund të vijojë. Nëse kërkesa për metale të çmuara mbetet e fortë, medaljet e Lojërave Olimpike Verore të vitit 2028 mund të rezultojnë edhe më të shtrenjta se ato të këtij viti.






