Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Meksikën të dielën, pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në jug të vendit, duke shkaktuar të paktën 13 viktima dhe 98 të plagosur.
Sipas autoriteteve, në tren ndodheshin rreth 250 persona në momentin e aksidentit, i cili ndodhi në zonën Asunción Ixtaltepec, në shtetin Oaxaca. Ngjarja u regjistrua në linjën kryesore që lidh qytetin e Veracruz-it në Gjirin e Meksikës me Salina Cruz në brigjet e Paqësorit.
Marina Meksikane, e cila administron këtë linjë hekurudhore, bëri të ditur se 36 persona janë transportuar në spitale për trajtim mjekësor, ndërsa pjesa tjetër e të plagosurve ka pësuar lëndime më të lehta. Qindra efektivë detarë dhe mjete emergjence janë angazhuar në operacionin e shpëtimit dhe ndihmës në vendngjarje.
Prokurorja e Përgjithshme e Meksikës, Ernestina Godoy, njoftoi se do të hapet një hetim për të zbardhur shkaqet e daljes nga shinat të trenit. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi rrethanat që çuan në aksident.
Edhe presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, reagoi pas ngjarjes, duke bërë të ditur se ka urdhëruar përfaqësues të lartë të qeverisë që të shkojnë në vendngjarje dhe të ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet e viktimave dhe të plagosurve.
Treni Ndëroqeanik është një projekt strategjik i menaxhuar nga Marina Meksikane, i cili synon të lidhë Oqeanin Paqësor me Gjirin e Meksikës dhe të shërbejë si alternativë për transportin e mallrave ndaj Kanalit të Panamasë. Linja kryesore e tij ka hyrë në funksion vetëm në vitin 2023, si pjesë e një programi zhvillimor të nisur nga ish-presidenti Andrés Manuel López Obrador për të nxitur ekonominë në jug të vendit.
(Burimi: CNN)






