Me një dalje të beftë publike, që është shumë e rrallë për zonjën e parë, Melania hodhi poshtë çdo aludim mediatik që është bërë për të dhe Epsteinin.
Fjalimi 5-minutësh ka hapur shumë debate në SHBA. Ai vjen në të njëjtën kohë kur ish-prokurorja e përgjithshme Pam Bondi dha dorëheqjen nga posti i saj dhe refuzon të dëshmojë para komisionit bipartizan në Kongres për dosjet e Epstein.
Lëvizjet e dy grave pranë Trump po interpretohen nga disa si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen publike nga zhvillimet e fundit, si në Iran ashtu edhe brenda SHBA-ve.
Më poshtë deklarata e plotë e Melania Trump:
Mirëdita.
Gënjeshtrat që më lidhin me të turpshmin Jeffrey Epstein duhet të marrin fund sot.
Individët që gënjejnë për mua janë të zhveshur nga standardet etike, përulësia dhe respekti. Nuk kam kundërshtim ndaj paditurisë së tyre, por refuzoj përpjekjet e tyre dashakeqe për të dëmtuar reputacionin tim.
Unë nuk kam qenë kurrë mike me Epstein. Donald dhe unë jemi ftuar herë pas here në të njëjtat festa ku ishte edhe Epstein, pasi mbivendosja në qarqet shoqërore është e zakonshme në Nju Jork dhe Palm Beach.
Për të qenë e qartë, unë kurrë nuk kam pasur një marrëdhënie me Epsteinin apo bashkëpunëtoren e tij, Maxwell. Përgjigjja ime me e0mail ndaj Maxwell nuk mund të klasifikohet si asgjë më shumë sesa një komunikim i zakonshëm. Përgjigjia ime e sjellshme ndaj e-mailit të saj nuk përbën asgjë më shumë sesa një shënim tё parëndësishëm.
Unë nuk jam viktimë e Epstein. Epstein nuk më ka prezantuar me Donald Trump. Unë e kam takuar bashkëshortin tim rastësisht, në një festë në Nju Jork në vitin 1998. Ky takim i parë me bashkëshortin tim është dokumentuar në detaje në librin tim, “MELANIA”.
Hera e parë që jam kryqëzuar me Epstein ka qenë në vitin 2000, në një event ku mora pjesë së bashku me Donaldin. Në atë kohë, nuk e kisha takuar më parë Epstein dhe nuk kisha asnjë dijeni për veprimtaritë e tij kriminale.
Shumë imazhe dhe deklarata të rreme për Epstein dhe mua kanë qarkulluar në rrjetet sociale prej vitesh. Bëni kujdes se çfarë besoni. Këto imazhe dhe histori janë plotësisht të pavërteta.
Unë nuk jam dëshmitare dhe nuk jam përmendur si dëshmitare në lidhje me asnjë nga krimet e Epstein. Emri im nuk është shfaqur kurrë në dokumente gjyqësore, depozitime, deklarata viktimash apo intervista të FBI-së që lidhen me çështjen Epstein.
Unë nuk kam pasur kurrë dijeni për abuzimet e Epstein ndaj viktimave të tij. Nuk kam qenë e përfshirë në asnjë mënyrë — nuk kam qenë pjesëmarrëse, nuk kam qenë kurrë në avionin e Epsteinit dhe nuk kam vizituar kurrë ishullin e tij privat.
Unë nuk jam akuzuar apo dënuar kurrë ligjërisht për ndonjë krim në lidhje me trafikun seksual, abuzimin e të miturve apo sjelljet e tjera të neveritshme të Epstein.
Shpifjet e rreme ndaj meje nga individë dhe entitete dashakeqe dhe të motivuara politikisht, që kërkojnë të dëmtojnë emrin tim për përfitime financiare dhe avancim politik, duhet të ndalen.
Avokatët e mi dhe unë kemi luftuar me sukses kundër këtyre gënjeshtrave të pabazuara dhe do të vazhdojmë të mbrojmë reputacionin tim pa hezitim. Deri më sot, disa individë dhe kompani janë detyruar ligjërisht të kërkojnë falje publikisht dhe të tërheqin shpifjet ndaj meje, si The Daily Beast, James Carville dhe Harper Collins UK.
Tani është koha që Kongresi të veprojë. Epstein nuk ka qenë i vetëm. Disa drejtues të rëndësishëm meshkuj kanë dhënë dorëheqjen nga pozicionet e tyre të fuqishme pasi kjo çështje u politizua gjerësisht. Sigurisht, kjo nuk përbën provë faji, por ne duhet të punojmë hapur dhe me transparencë për të zbuluar të vërtetën.
Unë i bëj thirrje Kongresit që t’u ofrojë grave që janë viktimizuar nga Epstein një seancë publike të fokusuar posaçërisht te të mbijetuarat. Jepuni këtyre viktimave mundësinë të dëshmojnë përpara Kongresit, me fuqinë e dëshmisë nёn betim.
Çdo grua duhet të ketë ditën e saj për të treguar historinë e saj në publik, nëse ajo dëshiron, dhe më pas dëshmia e saj duhet të regjistrohet përgjithmonë në regjistrin e Kongresit.
Vetëm atëherë do të kemi të vërtetën.






