Ilir Meta duket se ka nisur atë që di të bëjë më mirë në momentet më të vështira politike dhe ligjore: të kthejë betejën në një “spektakël” publik me dokumente, deklarata dhe akuza të drejtpërdrejta.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Partisë së Lirisë ka publikuar nga burgu një dëshmi që e cilëson “kyçe” për çështjen CEZ-DIA, duke akuzuar prokurorët e SPAK se e kanë mbajtur të fshehtë dhe kanë manipuluar hetimin.
Meta bën publike dëshminë e shtetasit çek Josef Hejsek, të dhënë në vitin 2011 para prokurorit dhe nën betim, duke e konsideruar atë si të vetmen dëshmi ku flitet konkretisht për marrëdhënien mes CEZ dhe DIA në një proces penal.
Sipas tij, kjo provë është mbajtur jashtë dosjes për një kohë të gjatë dhe është nxjerrë vetëm kur mbrojtja ka treguar se e dispononte, çka – sipas Metës – ngre dyshime serioze mbi mënyrën si është ndërtuar çështja.
Në të njëjtin reagim, ai thekson se dokumenti është i vulosur nga OSHEE dhe është siguruar nga një ish-zyrtar i institucionit, i cili, sipas tij, ka reaguar pasi ka marrë vesh për një “skenar politik” për ta përfshirë në këtë aferë.
Meta këmbëngul se në dëshminë e publikuar nuk përmendet emri i tij dhe as i figurave të tjera politike, ndërsa shton se përfaqësues të CEZ kanë konfirmuar se përzgjedhja e DIA-s është bërë mbi baza transparente dhe me referenca ndërkombëtare.
Me sa duket, Meta po kalon në ofensivë publike ndaj SPAK.
Duke paralajmëruar publikimin e provave të tjera në vijim, ai sinjalizon një strategji të njohur – presion publik përmes dokumenteve – që mund ta vendosë prokurorinë në një pozicion të vështirë përballë opinionit publik.
Nëse deri tani beteja ishte kryesisht në sallat e drejtësisë, me këtë lëvizje Meta po e zhvendos edhe në arenën publike, aty ku narrativa dhe perceptimi shpesh peshojnë po aq sa provat.







