Ish-presidenti Ilir Meta vijon betejën e tij ligjore për të dalë nga qelia. Pas refuzimit të njëpasnjëshëm të kërkesave për zëvendësimin e masës së sigurisë, Meta ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit vendimin e 5 janarit, i cili e la në arrest me burg.
Seanca për shqyrtimin e ankimit është caktuar të mbahet më 30 janar 2026, në orën 10:30, në sallën e gjykimeve të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Njoftimi zyrtar konfirmon se gjykimi në shkallë të dytë do të zhvillohet mbi kërkesën penale për pezullim të afateve të paraburgimit, bazuar në nenin 265 të Kodit të Procedurës Penale.
Çështja i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares Saida Dollani.
Më 5 janar, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e Metës për zëvendësimin e masës së sigurimit me një masë më të butë. Edhe më herët, përpjekjet e tij për lirimin nga paraburgimi janë refuzuar nga të tre shkallët e gjyqësorit.
Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit 2024, ndërsa ndaj tij SPAK ka bashkuar tre dosje të mëdha hetimore: aferën CEZ–DIA, lobimin në SHBA, dhe hetimin pasuror.
Me ankimin e radhës, ish-kreu i shtetit sinjalizon se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga beteja ligjore. Vendimi i Apelit më 30 janar pritet të jetë një tjetër test i fortë mes këmbënguljes së Metës për liri dhe kursit të pandryshuar të drejtësisë së posaçme.






