Nga qelia e IEPV “Jordan Misja”, Ilir Meta duket se ka gjetur një mënyrë të re për të kaluar kohën: duke numëruar çdo problem të sistemit penitenciar dhe duke tallur Ministrinë e Drejtësisë, të cilën e quan “Diella e Drejtësisë”.
Në një reagim publik, ish-presidenti shkruan se vetëm gjatë një dite energjia elektrike në institucion ka ikur 42 herë, duke prekur rreth 500 të burgosur dhe të paraburgosur. Sipas tij, edhe furnizimi me ujë është minimal, pasi të burgosurit kanë vetëm tre orë ujë në ditë.
Meta ngre gjithashtu shqetësimin për kushtet shëndetësore në burgje, duke pretenduar se ka raste kur qytetarë humbasin jetën për shkak të mungesës së trajtimit të duhur. Ai nuk lë pa përmendur as stafin e burgjeve, duke thënë se gardianët nuk janë shpërblyer për orët shtesë, ushqimin apo trajtimin që u takon sipas ligjit.
Me tone ironike, Meta pyet nëse këto realitete i di “Diella e Drejtësisë”, ndërsa shton se figura të tilla janë “pjellë e AKSHI-t”, që sipas tij është simbol i korrupsionit.
Në fund, ai rikthen në vëmendje edhe çështjen e tij personale, duke pretenduar se ende nuk i është dorëzuar, as atij dhe as avokatit, vendimi i zbardhur i 2 korrikut 2025 për dënimin e tij të dytë në këtë institucion, të cilin e lidh me lirinë e fjalës.
Mes ironisë dhe akuzave, Meta duket se ka marrë rolin e një “inspektori” të vetëshpallur të burgjeve, duke bërë avokatin e problemeve të sistemit penitenciar – ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet do t’i përgjigjen këtij bilanci të pazakontë, të hartuar nga brenda qelisë.

Statusi i tij i plotё:
Dëgjova “Diellën” e Drejtësisë që fliste për situatën në burgje dhe meqë nuk e di po e njoftoj që vetëm dje ka ikur 42 herë energjia elektrike te IEPV “Jordan Misja”, jo vetëm për mua, por për rreth 500 të burgosur e të paraburgosur që ndodhen këtu.
A e di “Diella” e Drejtësisë që këtu ka vetëm 3 orë ujë në ditë?
A e di “Diella” e Drejtësisë që në burgje vdesin qytetarë për mungesën e trajtimit të duhur shëndetësor?
A e di “Diella” e Drejtësisë që gardianët nuk kanë marrë asnjë qindarkë shpërblim për punën jashtë orarit, as ushqimin, as trajtimin që meritojnë sipas ligjit?
E ç’mund të presësh nga “Diellat”?
Ato janë pjellë e AKSHI-t, simbolit të korrupsionit skizofrenik.
Ndërsa lidhur me respektimin e të drejtave të mia dua t’u kujtoj të gjithë qytetarëve që akoma nuk më kanë dorëzuar të zbardhur, as mua, as avokatit tim, vendimin e 2 korrikut 2025, të dënimit tim të dytë nga IEPV “Jordan Misja” për lirinë e fjalës.






