Pas dhjetë vitesh në shërbim, Microsoft i ka vënë një afat të qartë sistemit operativ Windows 10: më 14 tetor 2025 do të ndalet çdo përditësim sigurie dhe mirëmbajtjeje për miliona kompjuterë që ende e përdorin këtë version. Me këtë hap, kompania po mbyll një kapitull të rëndësishëm dhe po i shtyn përdoruesit drejt sistemit më të ri, Windows 11.
Megjithëse Microsoft e kishte paralajmëruar këtë fund që prej vitit 2023, shumë përdorues ende nuk kanë kaluar në sistemin e ri për shkak të kufizimeve teknike ose kostove të larta të pajisjeve. Për këtë arsye, kompania ka vendosur të ofrojë një periudhë tranzicioni njëvjeçare me përditësime të kufizuara sigurie, përmes programit të quajtur Extended Security Updates (ESU). Ky shërbim, që do të zgjasë deri më 13 tetor 2026, u jep mundësi përdoruesve të vazhdojnë të mbrojnë kompjuterët e tyre nga rreziqet më të mëdha kibernetike.
Programi ESU nuk do të sjellë funksione të reja apo ndryshime në sistem, por vetëm arna sigurie për problemet kritike. Për të përfituar, kompjuterët duhet të kenë versionin më të fundit të Windows 10, 22H2, dhe të jenë në variantet Home, Pro ose Education. Microsoft ka bërë të ditur se përdoruesit individualë mund të regjistrohen duke përdorur llogarinë e tyre Microsoft, kundrejt një pagese prej 30 dollarësh.
Sipas të dhënave të platformës Statcounter, rreth 40 për qind e kompjuterëve në mbarë botën ende funksionojnë me Windows 10, edhe pse Windows 11 e ka tejkaluar për herë të parë në numër gjatë verës së këtij viti. Kjo tregon se shumë përdorues hezitojnë të kalojnë në sistemin e ri, kryesisht për shkak të kërkesave të larta teknike. Windows 11 kërkon një procesor modern me dy ose më shumë bërthama, të paktën 4 GB RAM, kartë grafike që mbështet DirectX 12 dhe, më e diskutueshmja, modulin TPM 2.0 për siguri.
Kjo kërkesë e fundit është bërë pengesë për miliona kompjuterë të vjetër. Megjithatë, Microsoft ka këmbëngulur se nuk do ta heqë, pasi TPM 2.0, sipas tyre, është thelbësor për mbrojtjen nga sulmet e avancuara. Për ata që duan të kalojnë në Windows 11, por pajisja nuk e përmbush këtë kusht, disa programe të pavarura si Rufus, UNetbootin ose Balena Etcher mund të ndihmojnë në instalimin e sistemit përmes një USB-je nisëse. Megjithatë, kjo metodë kërkon kujdes dhe gjithmonë rekomandohet ruajtja e kopjeve rezervë të të dhënave.
Një pjesë e përdoruesve po zgjedhin një rrugë tjetër: kalimin në Linux, sistem i lirë dhe më i lehtë për pajisje të vjetra. Megjithatë, përvojat janë të ndryshme dhe instalimi mund të fshijë plotësisht përmbajtjen e diskut, nëse nuk bëhet me kujdes.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se pas tetorit 2025, kompjuterët që vazhdojnë të përdorin Windows 10 do të mbeten të pambrojtur ndaj viruseve. Edhe Microsoft pranon se kjo mund të sjellë pasoja për përdoruesit dhe bizneset, përfshirë humbje të dhënash, rreziqe privatësie dhe vështirësi në përputhshmëri me standardet ligjore. Disa programe që sot funksionojnë normalisht në Windows 10 mund të ndalojnë përditësimet ose të mos mbështeten më nga zhvilluesit.
Windows 10, që dikur u promovua si “sistemi i fundit” dhe më i qëndrueshmi, po largohet nga skena. Microsoft po e lë pas një dekadë përdorimi masiv dhe po përgatitet për fazën e ardhshme të ekosistemit të vet, ku siguria dhe automatizimi do të jenë në qendër. Për miliona përdorues në mbarë botën, vendimi është i qartë: ose të përqafojnë Windows 11, ose të kërkojnë një rrugë tjetër për të qëndruar të sigurt në botën dixhitale.
(Burimi: The Epoch Times)






