Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) në letërsinë shqipe është i njohur si përkthyes, kritik letrar dhe për prozën e shkurtër, për të cilën – së bashku me Ernest Koliqin, cilësohet themelues i prozës moderne shqipe.
Lindur në Pogradec me 13 shtator 1907, Kuteli ndërroi jetë në Tiranë, me 4 maj 1967, pas një jete të vështirë, por me shumë krijimtari.
Më 16 maj 1947 e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit”, për “agjitacion e propagandë” me 5 vite heqje lirie dhe u lirua nga burgu në maj 1949 me falje. Me vështirësi u rehabilitua ku punoi si përkthyes në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” deri më 1967.
Kuteli u shqua në publicistikë dhe folklor ku ai botoi një vëllim me afro 200 këngë popullore moldave që i mblodhi në udhëtimin tij të famshëm për në Stalingrad.
Në lëmin e kritikes letrare, Kuteli është më i rëndësishmi i viteve ’40, si autori i parë shqiptar që botoi vëllime me kritikë letrare. Përmenden këtu: Lasgush Poradeci (1937) dhe Shënime letrare (1944); ku radhiten trajtat e ndryshme të lëvrimit të kritikës nga ana e tij: shënime, recensioni, studimi e esetë.
Kuteli u shqua edhe si ekonomist, ku ai la një sërë shkrimesh që i kushtoheshin ekonomisë, monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike shqiptare. Ai ishte një kritik i ashpër i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, duke faktuar spekulimet e saj në dëm të ekonomisë së vendit.
Në lëmin e përkthimeve, Kuteli përktheu poetin rumun Eminescu gjatë kohës që ka qenë në Rumani, është shquar në përkthimet nga rusishtja të klasikëve rusë Turgenjev, Gogol, Shçedrin, etj.
Bashkëshortja e tij Efterpi Pasko, e cila ndërroi jetë në mars 2019 prezantoi një fond të çmuar të letrave të panjohura të Kutelit, ndër të cilat edhe testamentin e tij.
Fragment nga Testamenti
“1. Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.
Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua! Nuk do të lajmëroni, para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërmë për të bërë formalitet e varrimit dhe varrimin. Kaq! S’kam qef të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.
2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjithë Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.
3. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.
Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike-apo fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, -dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesion kryesor. Profesionizmi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira.
Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ua u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.
Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni! Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiquni të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh, zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndërroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.
Ta doni dhe nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur.
Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvojë nga jeta e hidhur, dhe kjo përvojë mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.
Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.
Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë as që dua të ngjallem, as që dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.
4. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit. Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.
Yti Dhimitraq”
Vepra e Mitrush Kutelit
Ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika. Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja.
“Rrjedhin lumenjtë”, “Vjeshta e Xheladin Beut”, “Lasgush Poradeci” (1937), “Net shqiptare” (1938), “Pylli i gështenjave” (1958), “Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943), “Sulm e lotë” (1943), “Shënime letrare” (1944), “Havadan më havadan” (1944), “Kapllan aga i Shaban Shpatës” (1944), “Dashuria e berberit Artan” (1946), “Xinxifilua” (1962), “Tregime të moçme shqiptare” (1965), “Tregime të zgjedhura” (1972), “Baltë nga kjo tokë” (1973), “Në një cep të Ilirisë së poshtme” (1983), “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, “E madhe është gjëma e mëkatit”.






