Mirë se vini në versionin e Netflix-izuar të “Training Day”. Një kast me pesha të rënda aktrimi, si ky – me Damon, Affleck, Chandler, Steven Yeun dhe Teyana Taylor luajnë për publikun botëror ekskluzivisht për Netflix.
Gjigandi global që ka hyrë në çdo TV të globit, i bleu “shërbimet” e të dy hollywoodianëve shumë shtrenjtë, duke u thënë: Do luani një film vetëm për ne, Netflix.
Në rolet e dy policëve (i miri dhe i ndyri) në këtë triller krimi, Netflix na “qeras” me një lojë të mrekullueshme policësh, që mund të interpretohen vetëm nga talentet e kinemasë dhe ekranit, Matt Damon dhe Ben Affleck, që të mbajnë në një tension konstant e të vazhdueshëm që është e vështirë t’i rezistosh kur i sheh. Ata tallen dhe shpotisin njëri-tjetrin – si dy “ustallarë” që u ka ikur koha, me një mjeshtëri të veçantë.
Me një “script” të shkruar dhe drejtuar nga Joe Carnahan, “The Rip” është një film që përpiqet të përcjellë idenë e argëtimit, pavarësisht se skenat përshkruajnë një dramë të ashpër policore, që vërtitet brenda një rrjete merimange paranoje.
Shiheni që sonte “The Rip” / “Çarja”






