Reshjet e dendura të shiut që përfshinë sot zonën e Shkodrës shkaktuan një rrëshqitje të madhe inertesh në aksin Breg Lumi – Theth, duke bllokuar plotësisht qarkullimin pranë urës së fshatit Gimaj. Si rezultat 5 automjete dhe 9 persona mbetën të izoluar për disa orë.
Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile njoftoi se të gjithë qytetarët e bllokuar janë tashmë të evakuuar dhe të sigurt, pas një operacioni të koordinuar mes strukturave vendore dhe ekipeve të emergjencës.
Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci, bëri të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit mbi situatën, Bashkia ndërhyri me mjetet e rënda për hapjen e rrugës. Në zonë mbërriti edhe një ekip i specializuar i emergjencave civile, i cili u mor me vlerësimin e terrenit dhe me sigurimin e evakuimit të personave.
Autoritetet vijojnë t’u bëjnë apel qytetarëve të shmangin lëvizjet drejt zonave malore deri në stabilizimin e kushteve meteorologjike, pasi rreziku i rrëshqitjeve të tjera mbetet i pranishëm.
Moti i keq ka krijuar vështirësi në disa segmente të qarkut, ndërsa ekipet e emergjencës mbeten të angazhuara në terren deri në normalizimin e situatës.






