Çfarë ndodh me thesaret që zhduken nga faqja e dheut? Nga dhomat prej qelibari të perandorëve, te kurorat mbretërore të Irlandës apo dorëshkrimet e lashta që digjeshin në Bibliotekën e Aleksandrisë – njerëzimi ka humbur pa kthim një pjesë të çmuar të kujtesës së vet. Por tani, për herë të parë, një muze unik në llojin e vet po i rikthen ato, të paktën në mënyrë virtuale.
UNESCO ka prezantuar Muzeun Virtual të Objekteve Kulturore të Vjedhura, një platformë online falas ku çdo njeri në botë mund të “shëtisë” përmes tre sallave digjitale plot artefakte që kanë humbur gjurmët: nga piktura, bizhuteri e statuja, deri te vegla muzikore e dorëshkrime që datojnë nga antikiteti deri në shekullin XIX.
Në koleksionin e parë të muzeut janë përfshirë mbi 250 objekte të zhdukura nga 46 vende të ndryshme, të gjitha të paraqitura në detaje përmes modeleve 3D dhe fotografive origjinale. Sipas të dhënave të INTERPOL-it, më shumë se 57,000 artefakte të vjedhura vazhdojnë të qarkullojnë ende sot në tregjet e zeza të artit. Pikërisht për këtë arsye, UNESCO dhe INTERPOL kanë bashkuar forcat për të ndërtuar këtë muze virtual si një “arkiv të kujtesës së humbur” të njerëzimit.
Ky projekt, i financuar nga Arabia Saudite dhe i prezantuar më 29 shtator 2025, ka për qëllim jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe ndihmën ndaj vendeve që ende nuk kanë sisteme të plota për inventarizimin e veprave të artit. Përmes muzeut, UNESCO shpreson të ndihmojë shtetet të ndërtojnë databaza kombëtare dhe të shmangin vjedhje të tjera në të ardhmen.
Në “Dhoma e Objekteve të Vjedhura”, vizitorët mund të kërkojnë sipas rajonit apo periudhës historike. Aty gjenden vepra të rralla si: një byzylyk i artë me kokë dragoi nga shekulli I para Krishtit në Rumani, enë balte nga Qipro e lashtë, apo edhe një pikturë e vitit 1698 nga artisti holandez Herman Henstenburgh me titullin “Memento Mori”, që përshkruan një kafkë të rrethuar nga lule.
Në mesin e veprave më të spikatura është edhe një kopje e parë e veprës “Starry Messenger” të Galileo Galileit, botuar në vitin 1610, një nga librat më të rëndësishëm në historinë e astronomisë.
Muzeu, që mund të vizitohet edhe me syze VR, përmban gjithashtu një seksion të quajtur “Dhoma e Rikthimit dhe Restitucionit”, ku ekspozohen objekte që janë gjetur dhe rikthyer në vendet e tyre. Aktualisht janë vetëm tre — fosile trilobitësh që u kapën në doganën kiliane dhe u kthyen në Marok — por qëllimi është që kjo listë të zgjerohet me kohën.
UNESCO e përshkruan këtë nismë si më shumë se një eksperiencë digjitale: është një thirrje për ndërgjegjësim, për të mbrojtur kujtesën kulturore të njerëzimit. Sepse çdo objekt i vjedhur, siç thuhet në faqen e muzeut, “bart historinë e një komuniteti, dhe kur ai humbet, humbim një pjesë të identitetit tonë”.
Muzeu i ri i “gjërave të humbura” nuk është vetëm një ekspozitë virtuale — është një kujtesë e prekshme se sa e brishtë është kultura njerëzore, dhe se sa shumë kemi ende për të ruajtur para se historia të shndërrohet në harresë.
(Burimi: The Epoch Times)






