Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur një deklaratë që ka tronditur aleatët perëndimorë, duke sugjeruar se Uashingtoni mund të përballet me një “zgjedhje” mes ruajtjes së aleancës së NATO-s dhe kontrollit amerikan mbi Groenlandёn.
Në një intervistë për The New York Times, Trump tha se, nëse do të vinte puna, një vendim i tillë nuk përjashtohet. Ai la të kuptohet se aleanca ushtarake perëndimore është praktikisht e pafuqishme pa Shtetet e Bashkuara. “Mendoj se gjithmonë do të shkojmë mirë me Evropën, por dua që ata të ftillohen,” u shpreh ai. “Nëse shikoni NATO-n, Rusia nuk është aspak e shqetësuar për ndonjë vend tjetër përveç nesh.”
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të shtuara ndërkombëtare, vetëm pak ditë pasi Trump urdhëroi operacionin që çoi në rrëzimin e Nicolás Maduro në Venezuelë dhe paralajmëroi disa shtete të tjera. Në të njëjtën intervistë, presidenti amerikan deklaroi se kufiri i vetëm real për përdorimin e forcës ushtarake amerikane është morali i tij personal. “Morali im, mendja ime, janë e vetmja gjë që mund të më ndalojë,” tha ai, duke shtuar se nuk i nevojitet ligji ndërkombëtar, edhe pse më pas pranoi se “duhet” ta respektojë atë, pa qenë i qartë se çfarë nënkupton kjo.
Edhe pse e përshkruan veten si një “president i paqes” dhe ka shprehur ambicie për Çmimin Nobel, Trump ka autorizuar që prej fillimit të mandatit të dytë sulme ushtarake në Iran, Irak, Nigeri, Somali, Siri, Jemen dhe Venezuelë. Pas kapjes së Maduros, ai ka shtuar presionin ndaj Kolumbisë dhe ka ringjallur kërkesat për Groenlandën – një territor autonom nën Mbretërinë e Danimarkёs, e cila është pjesë e NATO-s.
Deklaratat e Trumpit kanë ngritur shqetësime serioze për të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm rolin e NATO-s, por edhe balancën mes forcës ushtarake, aleancave tradicionale dhe rendit ndërkombëtar.
(Burimi: Euronews)






