Pesë vende evropiane kanë akuzuar hapur Rusinë për vrasjen e liderit të opozitës Alexei Navalny, duke pretenduar se ai mund të jetë helmuar me një toksinë jashtëzakonisht të rrallë dhe vdekjeprurëse të quajtur epibatidinë, e cila gjendet në lëkurën e disa bretkosave helmuese të Amerikës së Jugut.
Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Suedia dhe Holanda deklarojnë se Rusia “kishte mjetet, motivin dhe mundësinë” për ta administruar këtë helm. Sipas tyre, përfundimet bazohen në analiza të mostrave të marra nga trupi i opozitarit rus, i cili vdiq dy vjet më parë në një burg të largët siberian mbi Rrethin Arktik.
Moska ka mohuar çdo përgjegjësi, duke i cilësuar akuzat si “insinuata që synojnë të largojnë vëmendjen nga problemet urgjente të Perëndimit”. Megjithatë, kundërshtarët e Kremlinit prej kohësh kanë drejtuar gishtin nga autoritetet ruse për vdekjen e rivalit kryesor të presidentit Vladimir Putin.
Pesë vendet njoftuan gjithashtu se e kanë referuar Rusinë në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), duke shprehur dyshime se Moska mund të mos i ketë shkatërruar plotësisht arsenalet e saj kimike.
Nuk është hera e parë që Navalny dyshohet se ka qenë objekt helmimi. Në vitin 2020 ai u trajtua në Berlin pas një sulmi me agjentin nervor Novichok, një substancë e gradës ushtarake, për të cilën ekspertët perëndimorë dyshuan se ishte përdorur nga shërbimet sekrete ruse. Pavarësisht rrezikut, ai u kthye në Moskë në janar 2021 dhe u arrestua menjëherë në aeroport. Më pas u dënua me 19 vjet burg për akuza “ekstremizmi”, të konsideruara gjerësisht si të motivuara politikisht.
Edhe pas burgosjes, Navalny vijoi të kritikonte Kremlinin dhe luftën në Ukrainë, ndërsa autoritetet ruse shtuan presionin ndaj disidentëve.
E veja e tij, Yulia Navalnaya, deklaroi gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih se provat e reja e përforcojnë bindjen e saj se bëhet fjalë për vrasje. “Dy vjet më parë thashë se Vladimir Putin vrau burrin tim. Atëherë ishin vetëm fjalë; sot ato janë bërë fakte të provuara shkencërisht,” u shpreh ajo.
Në fund të vitit 2024, media investigative “The Insider” raportoi se kishte shqyrtuar qindra dokumente lidhur me vdekjen e Navalnyt, duke pretenduar se autoritetet ruse kishin hequr referencat për simptoma si dhimbje stomaku, të vjella dhe konvulsione – shenja që mund të lidhen me helmimin.
Aleatët e opozitarit rus pretendojnë gjithashtu se ai vdiq në një moment kur mund të ishte pjesë e një marrëveshjeje për shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe vendeve perëndimore.
Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi Navalnyn si një figurë me “guxim të jashtëzakonshëm përballë tiranisë”, ndërsa ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot akuzoi Putinin se është “gati të përdorë armë kimike kundër popullit të tij për të qëndruar në pushtet”.
Akuzat e fundit pritet të thellojnë më tej përçarjen politike mes Rusisë dhe Evropës, marrëdhënie që janë përkeqësuar ndjeshëm që nga pushtimi rus i Ukrainës.
(Burimi: ANSA)






