Një sulm i rëndë zjarrvënieje zhyti në errësirë pjesë të mëdha të Berlinit jugperëndimor, duke nxitur frikë dhe zemërim mes qytetarëve dhe duke hapur një debat të ashpër mbi sigurinë e infrastrukturës kritike në ekonominë më të madhe të Evropës. Për ditë të tëra, rreth 45 mijë familje, gati 2 mijë biznese, katër spitale, dhjetëra azile dhe shkolla, si edhe segmente të transportit publik, mbetën pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë të ngrohtë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori një grup militantësh anarkistë të krahut të majtë, i njohur si Vulkangruppe, i cili deklaroi se synimi ishte “fikja e energjisë së atyre që janë në pushtet” dhe ekspozimi i varësisë së Gjermanisë nga lëndët djegëse fosile. Prokuroria federale ka marrë në dorë hetimin, por deri tani autoritetet pranojnë se provat janë të pakta dhe autorët mbeten të paidentifikuar.
Edhe pse furnizimi u rikthye plotësisht vetëm pas disa ditësh, shumë berlinezë ndihen ende të pasigurt. Pyetjet që dominojnë debatin publik janë të drejtpërdrejta: si mund të jetë kaq e brishtë infrastruktura e një metropoli si Berlini, kush mban përgjegjë dhe si mund të parandalohet përsëritja e një sulmi të tillë? Pamjet e qytetarëve të strehuar në palestra dhe ambiente publike, mes shtretërve fushorë, kanë tronditur opinionin.
Autoritetet lokale e kanë cilësuar ngjarjen si një “goditje serioze ndaj infrastrukturës kritike”. Sipas zyrtarëve, autorët dyshohet se kanë përdorur informacione të hapura publike për të identifikuar pika të ndjeshme, çka ka ringjallur debatin mbi balancën mes transparencës dhe sigurisë. Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e investimeve në mbrojtjen dhe garantimin e rrjeteve energjetike e bën sistemin vulnerabël ndaj një akti të vetëm sabotimi.
Ndërkohë, shërbimet e emergjencës dhe Kryqi i Kuq u mobilizuan për të ndihmuar mijëra qytetarë, ndërsa ushtria u angazhua për furnizimin me karburant të spitaleve dhe për riparimet. Kriza u shfrytëzua politikisht edhe nga forca të ekstremit të djathtë, të cilat akuzuan qeverinë për dështim në garantimin e sigurisë bazë të qytetarëve.
Pavarësisht tensioneve, në qytet u pa edhe një valë solidariteti: hotele, institucione kulturore dhe individë privatë hapën dyert për të prekurit nga ndërprerja e energjisё. Por mes këtij solidariteti mbetet një ndjenjë e re: përgatitja për raste emergjente po bëhet normë. Siç e pranojnë shumë banorë, rezervat e ujit dhe ushqimit nuk janë më një temë për t’u tallur, por një reflektim i frikës se ndërprerje të tilla mund të mos jenë më përjashtim.
(Burimi: The Guardian)






