Tokio sot shihet si një metropol futurist, por themelet e tij janë hedhur shekuj më parë, në shekullin XVII, kur qyteti njihej si Edo. Në atë kohë, Edo ishte një nga qendrat urbane më të mëdha në botë, me mbi një milion banorë, dhe lulëzonte në tregti, argëtim dhe kulturë. Ajo periudhë la gjurmë të thella që vazhdojnë të ndikojnë jetën urbane edhe sot: nga stendat buzë rrugës që shërbenin sushi nigiri e që evoluan në restorantet moderne me banak, te kopshtet e daimyo-ve dhe teatrot kabuki që formësuan identitetin kulturor të qytetit.
Edo u përball edhe me fatkeqësi të mëdha, më e rënda prej të cilave ishte Zjarri i Madh i vitit 1657, që shkatërroi më shumë se gjysmën e qytetit. Nga këto sprova lindi një kulturë rezistence dhe rindërtimi, një frymë që shihet edhe sot në iniciativa moderne për përballimin e katastrofave natyrore. Shekuj më vonë, gjurmët e planifikimit urban të Edo-s janë ende të dukshme në lagje, kanale dhe rrugë që vazhdojnë të përcaktojnë strukturën e Tokios.
Qyteti u organizua sipas hierarkisë shoqërore dhe profesioneve, pasi Tokugawa Ieyasu e shpalli Edo-n seli të shogunatit në vitin 1603. Familjet samurai dhe zotërinjtë feudalë u vendosën pranë Kalasë së Edo-s, në zonën që sot përkon me Pallatin Perandorak, ndërsa tregtarët dhe artizanët u sistemuan në periferi. Ky ndarje funksionale hodhi bazat e lagjeve moderne të Tokios, të cilat edhe sot ruajnë identitete të lidhura me rolin e tyre historik.
Zona si Nihonbashi, dikur qendër tregtare e Edo-s, mbetet sot zemër ekonomike e kryeqytetit, duke strehuar institucione kyçe financiare. Ginza, që dikur ishte vendndodhja e minierës së argjendit të shogunatit, vazhdon të shkëlqejë si distrikt i luksit dhe argëtimit. Asakusa ruan trashëgiminë e saj si qendër argëtimi, ndërsa Ryogoku mbetet sinonim i spektaklit, si shtëpia tradicionale e sumos. Edhe Jimbocho, fillimisht lagje e samuraive të rangut të ulët, u shndërrua me kalimin e kohës në qendër arsimore e kulturore dhe sot njihet si distrikti më i madh në botë i librave të përdorur.

Rreziku i vazhdueshëm nga zjarret ndikoi drejtpërdrejt në arkitekturë dhe urbanistikë. Pas zjarrit të vitit 1657, autoritetet zgjeruan rrugë, krijuan hapësira të hapura për të ndalur përhapjen e flakëve dhe ndërtuan mure mbrojtëse rreth tempujve, shumë prej të cilëve ekzistojnë ende. Në të njëjtën kohë, disa lagje u projektuan me rrugica të ngushta dhe të ndërlikuara për arsye mbrojtjeje, elemente që sot i japin qytetit një hijeshi historike.

Edo u ndërtua rreth kalasë së shogunit, me rrugë kryesore që shpërndaheshin si rreze. Nihonbashi shërbente si pika zero nga ku niseshin pesë rrugët kryesore që lidhnin qytetin me pjesën tjetër të Japonisë. Këto akse u bënë më vonë baza e rrjeteve moderne të transportit, përfshirë linja hekurudhore që shndërruan zona si Shinjuku, Shibuya dhe Ueno në nyje të mëdha urbane.
Kanaleve u takonte një rol jetik në zhvillimin ekonomik të Edo-s, duke shërbyer si arterie tregtie. Edhe pse shumë prej tyre janë mbuluar ose transformuar në rrugë, ndikimi i tyre mbetet i dukshëm në hartën e qytetit. Ndërkohë, ujësjellësi Tamagawa mundësoi furnizimin me ujë të pastër dhe zhvillimin e banjove publike, një traditë komunitare që vazhdon edhe sot në Tokio.

Hapësirat publike, kopshtet dhe tempujt e trashëguar nga periudha Edo vazhdojnë të jenë qendra të jetës sociale dhe kulturore. Kopshtet e daimyo-ve, të ndërtuara për të reflektuar ekuilibrin dhe meditimin zen, u shndërruan me kalimin e kohës në parqe dhe institucione publike, duke ruajtur parimet e një zhvillimi të harmonizuar me natyrën. Këto vlera reflektohen edhe sot në politikat urbane që synojnë një qytet të qëndrueshëm.

Lagje si Nihonbashi, Ueno dhe Ryogoku mbajnë ende emrat e epokës Edo dhe vazhdojnë të jenë qendra të gjalla tregtie, kulture dhe argëtimi. Ato dëshmojnë se, pavarësisht transformimeve moderne, fryma e Edo-s vazhdon të rrjedhë nëpër Tokion e sotme, duke lidhur të shkuarën me të tashmen dhe të ardhmen.
(Burimi: CNN)






