Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar zyrtarisht Presidentit Isaac Herzog faljen për çështjen e tij shumëvjeçare të korrupsionit, duke argumentuar se është “në interes publik”. Kërkesa, e dorëzuar të enjten dhe e publikuar të dielën, vjen pas tensioneve të forta politike dhe presionit publik, përfshirë edhe nga aleati kryesor i tij ndërkombëtar, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Në letrën e tij, Netanyahu shkruan se procesi gjyqësor është bërë “një pikë qendrore e polemikave të ashpra”, për të cilat ai thotë se mban “përgjegjësi të gjerë publike”. Sipas tij, edhe pse “interesi personal” do të ishte të provonte pafajësinë në gjykatë, “interesi publik dikton ndryshe”.
Netanyahu nuk pranon fajin dhe nuk bën asnjë deklaratë për të ardhmen e tij politike. Ai ka mohuar vazhdimisht akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.
Zyra e Presidentit Herzog konfirmoi marrjen e kërkesës dhe njoftoi se do ta shqyrtojë me “kujdes dhe përgjegjësi”. Presidenti është i vetmi autoritet që mund të japë falje në Izrael.
Reagime të ndara: opozita kritike, aleatët mbështetës
Lideri i opozitës, Yair Lapid, i bëri thirrje Herzogut të refuzojë kërkesën, duke thënë: “Nuk mund t’i jepni falje Netanyahut pa pranuar fajin, pa shfaqur keqardhje dhe pa u tërhequr menjëherë nga politika.”
Edhe Yair Golan, kreu i partisë së majtë Demokratike, deklaroi: “Vetëm dikush fajtor kërkon falje.”
Ndërkohë, aleatët politikë të Netanyahut e mbështetën kërkesën. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e cilësoi faljen të “rëndësishme për sigurinë kombëtare”.
Presidenti amerikan Donald Trump, në një letër drejtuar Herzogut këtë muaj, kërkoi falje të plotë për Netanyahun, duke e quajtur atë “lider vendimtar të kohës së luftës”.
Publiku i ndarë
Një sondazh i Channel 12 tregon se 48% e qytetarëve izraelitë kundërshtojnë faljen pa kushte, 44% e mbështesin dhe 8% nuk kanë një opinion.
Sipas Institutit të Demokracisë së Izraelit, faljet zakonisht jepen vetëm pas një dënimi gjyqësor, dhe falja para ose gjatë gjyqit shihet si rrezik për pavarësinë e drejtësisë.
Çështja gjyqësore
Netanyahu është kryeministri i parë në detyrë në historinë e Izraelit që përballet me akuza penale. Gjyqi nisi në maj 2020 mbi tre çështje të ndara.
Në akuzën më të rëndë, ai dyshohet se i dha përfitime rregullatore kompanisë së telekomunikacionit Bezeq, në vlerë rreth 250 milionë dollarë, në këmbim të mbulimit mediatik pozitiv në faqen online Walla! News. Ai dhe pronari Shaul Elovitch kanë mohuar akuzat.
Procesi është zvarritur dhe pritet të zgjasë edhe për disa vite. Nuk ka afat të përcaktuar se kur presidenti Herzog do të marrë vendimin mbi kёrkesёn për falje.
(Burimi: CNN)






