Një libër i ri i publikuar së fundmi hedh dritë mbi hetimin dhe kapjen e Joseph DeAngelo-s, të njohur si “Golden State Killer”, një nga kriminelët më të kërkuar në historinë e Shteteve të Bashkuara, i cili për dekada terrorizoi komunitete të tëra në Kaliforni. DeAngelo, që për vite lëvizte nëpër lagje si hije, përgjonte viktimat e tij dhe hynte fshehurazi nëpër shtëpi, u arrestua në vitin 2018 — gati 40 vjet pas krimeve të fundit të dokumentuara.
DeAngelo u shpall fajtor në vitin 2020 për 13 vrasje dhe për dhjetëra sulme të rënda kundër grave dhe çifteve gjatë viteve 1970 dhe 1980. Terrori i tij u përhap në 11 qarqe të Kalifornisë dhe krijoi panik të gjerë, duke fituar një sërë nofkash, përfshirë: “Visalia Ransacker”, “East Area Rapist”, dhe më vonë, “Original Night Stalker”, derisa media e quajti përfundimisht “Golden State Killer”.
Arrestimi pas katër dekadash kërkimesh
Në prill të vitit 2018, tё pajisur me prova ADN-je të marra nga mbeturinat e tij, policia rrethoi banesën e DeAngelos në lagjen e qetë Citrus Heights pranë Sakramentos. I befasuar dhe pa bёrё rezistencë, ai u arrestua në kopshtin e shtëpisë së tij. Në dhomën e marrjes në pyetje qëndroi i heshtur për orë të tëra, duke u përpjekur të simulonte probleme mendore – një taktikë që sipas hetuesve, e kishte përdorur edhe më parë.
Në librin e tij të ri “The People vs. The Golden State Killer”, prokurori udhëheqës i çështjes, Thien Ho, i cili sot është Prokuror i Qarkut Sacramento, rrëfen nga brenda mënyrën se si u rindërtua puzzle-i i hetimit dhe si ADN-ja gjenealogjike çoi në identifikimin e autorit. Ai shpjegon se duke analizuar gjurmët e ADN-së dhe duke ndërtuar një pemë familjare me më shumë se 1.000 emra, hetuesit arritën ta ngushtonin kërkimin fillimisht në tre persona — dhe njëri prej tyre ishte DeAngelo.
Roli i tij si polic dhe personaliteti manipulues
DeAngelo ka qenë vetë ish-polic dhe madje pjesë e një task-force që po hetonte një seri krimesh, gjë që sipas Ho-së e ndihmoi për vite t’u shmangej autoriteteve. Ai njihte mirë procedurat policore, kohën e reagimit dhe mënyrat për të shmangur rrethimet.
Sipas prokurorit, DeAngelo u përpoq të paraqitej si “i sëmurë mendërisht” menjëherë pas arrestimit, duke pretenduar se një “pjesë tjetër e personalitetit” e kishte shtyrë drejt krimeve, por hetuesit e kishin zbuluar më herët se ai e kishte përdorur këtë taktikë edhe në një rast të kaluar.
Zëri i viktimave në gjyq
Ho tregon se çështja u përqendrua te dëshmitë e viktimave. Dhjetëra prej tyre u gjetën në shtete të ndryshme për t’u intervistuar dhe për t’u përgatitur për dëshminë në gjykatë. Në sallën e gjyqit, disa prej tyre folën publikisht për herë të parë pas dekadash, ndër ta edhe ish-ushtarakja Jane Carson dhe Bonnie, ish e fejuara e DeAngelos.
Për prokurorin Ho, i cili ka ardhur në SHBA si refugjat nga Vietnami, procesi ishte një triumf personal dhe profesional. Ai thotë se drejtësia funksionoi dhe solli qetësi tek shumë familje që kishin pritur përgjigje për gati 40 vjet.
Jeta sot e DeAngelos
DeAngelo, tashmë 79-vjeçar, po vuan dënim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht në një burg të Kalifornisë, në një njësi speciale ku mbahen persona të rrezikuar nga të burgosurit e tjerë. Sipas Ho-së, ai jeton i izoluar dhe nën frikë të vazhdueshme — “në versionin e tij të ferrit, ku i takon”.
Edhe pse çështja është mbyllur, prokurori beson se mund të ketë viktima të tjera që ende nuk janë zbuluar dhe hetimet vazhdojnë.


(Burimi: CNN, pёrkthyer dhe pёrshtatur nё shqip nga kontrasT.al)






