Gratë që e kanë ndërtuar jetën duke u ushqyer nga burimet e familjes së tjetrit sot na serviren si modele për t’u ndjekur, si gra të forta, si histori suksesi, që nga hapësira letrare dhe mediatike, deri te politika dhe administrata publike.
Që nga vitet ’90, kur Shqipëria e rrënuar ekonomikisht dhe institucionalisht nxori trupin e gruas së saj në rrugët e botës si mall mbijetese, e deri më sot, prostitucioni i gruas shqiptare jo vetëm që ka vazhduar në çdo strukturë, por ka depërtuar në mendje, në punë, në familje dhe në çdo qelizë të jetës shoqërore, duke u shndërruar nga një akt ekstrem i mbijetesës, në një mekanizëm të zakonshëm suksesi, pranimi dhe statusi.
Nuk ka patur realisht zhvendosje nga prostitucioni trupor te ai mendor, por përveç trupit që mbetet parakusht i shitjes, mendja, fjala dhe integriteti janë kthyer në një monedhë shtesë për një shkëmbim që lidhet drejtpërdrejt me poste drejtuese, punë të ashtuquajtura ‘të mira’, sukses të shpejtë dhe njohje publike.
Në Shqipërinë e sotme ka ndodhur një nga deformimet më të rënda shoqërore, është normalizuar imoraliteti dhe ka disa vite që na shitet si zgjuarsi.
Vajzave u mësohet, u sugjerohet dhe u promovohet hyrja në marrëdhënie me burra të martuar për akses në para, njohje, siguri materiale dhe luks të ndërtuar mbi shpatullat e një gruaje tjetër dhe familjes së saj.
Ajo që në çdo shoqëri me shtyllë normale morale do të quhej shkatërrim satanik, këtu shitet si realizim personal dhe si aftësi për t’ia dalë.
Gratë që e kanë ndërtuar jetën duke u ushqyer nga burimet e familjes së tjetrit sot na serviren si modele për t’u ndjekur, si gra të forta, si histori suksesi, që nga hapësira letrare dhe mediatike deri te politika dhe administrata publike.
Në vitet ’90, prostitucioni trupor u pa dhe u emërtua si plagë, sepse varfëria ekstreme, mungesa e shtetit dhe dhuna ekonomike e shtynë trupin e gruas shqiptare drejt shitjes për mbijetesë dhe shoqëria, sado e pafuqishme atëherë, e njihte këtë si tragjedi.
Sot prostitucioni nuk kryhet më për bukë, por për status, për komoditet, për hyrje në rrethe të mbyllura dhe për akses në pushtet informal, dhe pikërisht për këtë arsye është më i rrezikshëm, sepse nuk justifikohet më nga nevoja, por nga një ambicie e kalbur që sistemi e shpërblen materialisht dhe duke i dhënë influencë në hapësira publike.
Ky realitet pasqyrohet drejtpërdrejt në mënyrën se si gjendet dhe mbahet një vend pune.
Hyrja në shumë pozicione nuk kalon më nga aftësia dhe përgatitja, por nga afërsia personale me dikë që ka pushtet vendimmarrës, nga marrëdhënie të padeklaruara dhe nga gatishmëria për t’u bërë e përdorshme.
Vendi i punës nuk mbahet përmes punës dhe përgjegjësisë, por përmes bindjes, heshtjes dhe pranimit të roleve të pashkruara, ku gruaja mëson se siguria e saj profesionale nuk varet nga ajo që di, por nga sa shumë është gati të ulë kokën.
Ngritja në detyrë ndjek të njëjtën logjikë të ndyrë, ku avancimi nuk vjen si rezultat i meritës, por si shpërblim për besnikëri personale dhe jo institucionale, për lidhje intime dhe për shërbime të kryera jashtë çdo kornize profesionale, duke e kthyer kështu karrierën në një zinxhir favoresh të heshtura ku çdo hap përpara paguhet me një dorëzim tjetër.
Në universitete, ky mekanizëm shfaqet herët, kur vajza e re kupton se një notë, një bursë, një rekomandim apo një publikim nuk kalon gjithmonë nga puna akademike, por nga marrëdhënia me pedagogun.
Në media, gruaja që ngrihet në karrierë jo vetëm që duhet të mos sfidojë narrativën, por shpesh duhet të ketë paguar më parë me trup, duke u shndërruar nga zë në shërbim dhe nga mendim në dekor.
Në administratë dhe politikë, pas shitjes se trupit, përfaqësimi i gruas kushtëzohet nga besnikëria ndaj zinxhirit të interesit, edhe mafioz, dhe jo nga aftësia për të ndërtuar politika apo për të mbajtur përgjegjësi reale.
Kështu është krijuar një sistem ku prostitucioni nuk është devijim, por mekanizëm funksionimi, nuk është më thjesht zgjedhje individuale, por kusht struktural pranimi, sepse një hapësirë publike e kapur nga korrupsioni dhe e lidhur me struktura mafioze nuk toleron më figura të pavarura, por kërkon garanci nënshtrimi.
Gratë më në moshë, tutore të këtij sistemi të kalbur, ua mësojnë vajzave më të reja, se refuzimi i kësaj loje të nxjerr jashtë, të diskrediton dhe të vulos si të vështirë, konfliktuale dhe jo bashkëpunuese, ndërsa nga ana tjetër gruaja që pranon të dorëzojë trupin, mendjen dhe integritetin, shpërblehet dhe promovohet si shembull për t’u ndjekur.
Për këtë arsye sot nuk kemi thjesht prostitucion si fenomen social, por prostitucion si kulturë, si normë dhe si rrugë e vetme për ngrije, duke e kthyer këtë në formën më të avancuar të dhunës ndaj gruas shqiptare, sepse kryhet pa dhunë fizike dhe pa detyrime të hapura, por përmes premtimit të suksesit, luksit dhe pranimit shoqëror.
Një shoqëri që e shpërblen këtë model nuk e çliron gruan, por e përdor atë në çdo qelizë që i ka falur Zoti.
Ajo që e bën këtë realitet edhe më të ulët dhe më të rrezikshëm është fakti se në diskursin publik flitet pothuajse ekskluzivisht për dhunën fizike ndaj grave, artikulohet vrasja e tyre si ngjarje e shkëputur dhe e jashtëzakonshme, ndërsa ky realitet i përditshëm, i dukshëm dhe i njohur nga të gjithë, mbetet i paemërtuar, sepse zërat publikë, me zgjedhje të lirë, kanë vendosur të bëjnë sikur nuk e shohin.
Në gjykimin tim, heshtja nuk është mungesë dijenie, por bashkëpunim.
Mund të tingëllojë makabre, por përballë këtij prostituimi të shtrirë deri në qelizë, dhuna fizike, madje edhe vrasja e gruas, shfaqen si fundi brutal i një procesi që ka nisur shumë më herët, në momentin kur shoqëria i ka hequr asaj çdo rrugë tjetër për të ekzistuar me integritet.
Vrasja është akti i fundit, prostituimi total është sistemi, dhe ky sistem vazhdon të funksionojë pikërisht sepse nuk emërtohet kurrë me emrin e vet.

(Burimi: Marrё nga Kostana Morava, https://kostanamorava.substack.com/p/prostitucioni-si-norme-shoqerore?utm_source=share&utm_medium=android&r=75bvap&fbclid=IwY2xjawPJHD5leHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEeWoKalPg3nQDpGdG0NnURKpzzNkytnno65GAYkAeHmB7ph4-heD6K2eoc3nM_aem_6B3IavfoGgkqNeZBxBTOGw&triedRedirect=true






