Një çift që nisi të eksperimentonte me një grua tjetër thotë se sot ndihet më i fortë se kurrë, pasi marrëdhënia e tyre u kthye në një bashkëjetesë treshe. Alana Underwood dhe Kevin Jankay tregojnë se, pas më shumë se tre vitesh në një lidhje monogame, takimi me Megan Smith solli një dimension të ri në jetën e tyre — diçka që nuk e kishin menduar më parë.
Gjithçka nisi në vitin 2020, kur Alana i tregoi partnerit se ishte kurioze të provonte një eksperiencë romantike me një grua. Edhe pse nuk kishte pasur më parë një përvojë të tillë, Kevin pranoi ta eksploronin së bashku. Ata u regjistruan në një faqe njohjesh për persona të interesuar në marrëdhënie treshe dhe aty njohën Megan, e cila në atë kohë ishte e martuar.
Pas rreth një muaji bisedash online, u takuan për atë që mendonin se do të ishte vetëm një eksperiencë e vetme. “Isha shumë nervoze, por Megan ishte e sigurt dhe më ndihmoi ta kaloja atë moment,” kujton Alana. Megjithatë, takimet vazhduan dhe, disa muaj më vonë, Megan u nda nga bashkëshortja e saj — një vendim që, sipas tyre, nuk kishte lidhje me marrëdhënien që po krijohej.
Në janar 2021, ata vendosën të jetonin bashkë në apartamentin e Alanës dhe Kevinit. Fillimisht përballuan sfida praktike, si ndarja e një banjoje të vetme dhe organizimi i dhomës së gjumit, ku vendosën një dyshek ajri pranë shtratit për të krijuar hapësirë për të tre.
Më vonë, gjatë një interviste televizive, treguan se kishin vendosur edhe një rregull për mënyrën si flinin: çdo natë ndërronin vendin e personit që flinte në mes. Ata pranojnë se bashkëjetesa kërkon kujdes të vazhdueshëm, sidomos për të shmangur ndjenjën e përjashtimit. “Jemi përpjekur gjithmonë ta vendosim veten në vendin e tjetrit. Mund të ketë xhelozi, por kemi qenë të vetëdijshëm për këtë,” thotë Alana.

Sipas tyre, me kalimin e kohës kuptuan se barazia absolute në marrëdhënie është e vështirë, por secila lidhje mes tyre është unike. Kevin e përshkruan strukturën e tyre si një piramidë të fortë: “Ke dyfish mbështetje dhe përkujdesje. Kur ke një mosmarrëveshje me njërёn, tjetra mund të të japë një këndvështrim tjetër.”
Pas disa vitesh bashkëjetese, ata u zhvendosën në një shtëpi më të madhe në Kolorado, ku tashmë kanë hapësira më komode. Një hap i rëndësishëm ishte edhe t’u tregonin familjeve. Nëna e Meganit e pranoi menjëherë situatën, ndërsa prindërit e Alanës u habitën fillimisht, por më pas e mbështetën. Për Kevinin ishte më e vështirë — nëna e tij nuk i foli për dy vite dhe edhe sot shmang bisedat për partneret e tij.
Pavarësisht reagimeve të ndryshme, ata nuk janë fshehur. Përkundrazi, ndajnë përditshmërinë e tyre në rrjetet sociale, ku videoja e parë në llogarinë e tyre CampThrouple arriti rreth 300 mijë shikime brenda natës.
Megjithatë, Megan thekson se nuk përpiqen të bindin askënd. “Nuk mendoj se kjo është mënyra perfekte për të jetuar. Njerëzit duhet të bëjnë atë që i bën të lumtur dhe tё ndihen rehat. Ne thjesht duam të tregojmë anët pozitive të përvojës sonë,” thotë ajo.

(Burimi: Mirror)






