Një kompani britanike e njohur për prodhimin e këpucëve të veshura nga Princi George, Princesha Charlotte dhe Princi Louis ka paralajmëruar se mund të mbyllë aktivitetin pas më shumë se shtatë dekadash.
Pronari Paul Bolton tha se fabrika në Leicester, ku prodhohen markat Early Days dhe Baypods, është “goditur nga të gjitha këndvështrimet” për shkak të rënies së kërkesës dhe rritjes së ndjeshme të kostove të biznesit. Edhe pse publiciteti nga familja mbretërore solli një rritje të fortë të shitjeve, biznesi familjar 73-vjeçar ndodhet tani pranë kolapsit.
Bolton, i cili e drejton kompaninë bashkë me vëllain e tij, tha se nuk mund ta përballojnë më financiarisht dhe po kërkojnë një blerës të mundshëm. Në një njoftim në LinkedIn, ai theksoi se vendimi vjen si pasojë e rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve dhe klimës së vështirë ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar dhe jashtë saj gjatë tre viteve të fundit.
Kompania u themelua mbi 70 vjet më parë nga babai dhe xhaxhai i Boltonit. Për dekada, ajo u rrit ndjeshëm, por sot pronarët thonë se nuk kanë më mundësi të investojnë për ta mbajtur në punë fabrikёn.
Bolton kujtoi një periudhë “të jashtëzakonshme” kur Princi George u fotografua me këpucët e tyre gjatë një turi. Kërkesa u rrit aq shumë sa kompania u detyrua të pezullonte për disa ditë shitjet online pasi stoku u shterua. Fabrika punonte me orë shtesë dhe xhiroja vjetore u dyfishua.

Megjithatë, pas vitit më të suksesshëm në 2022, porositë nisën të bien, ndërsa dyqanet përmendën vështirësitë në tregun kryesor. Kompania u përball gjithashtu me rritjen e çmimeve të energjisë dhe materialeve, rritjen e pagës minimale dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit.
Është vetëm një nga bizneset që ankohen për barrën fiskale dhe rritjen e kostove të pagave nga viti 2024. “Çmimet janë rritur, ndërsa kërkesa ka rënë për shkak të shpenzimeve më të ulëta të konsumatorëve,” tha Bolton.
Firma u detyrua të rrisë çmimet: modelet bazë nisin nga 12.99 paund, ndërsa linja premium prej lëkure — e preferuar nga fëmijët mbretërorë — kushton rreth 32 paund për palë.
Dikur me mbi 100 punonjës dhe një prodhim prej më shumë se 10 mijë palësh këpucë në javë, kompania ka sot vetëm 10 të punësuar. Bolton dhe vëllai i tij e kanë mbështetur financiarisht nga xhepi i tyre, por pranojnë se “thjesht nuk mund ta bëjnë më”.
“Shpresojmë të mos jetë fundi, por ka rreth 80% gjasa që të ndodhë,” u shpreh ai, duke shtuar se disa investitorë mund të jenë të interesuar ta mbajnë kompaninë në vend, ndërsa të tjerë mund të kërkojnë zhvendosjen jashtë Britanisë — një skenar që pronarët nuk e kanë dëshiruar kurrë.
Një zëdhënës i qeverisë tha se buxheti synon të rrisë ekonominë dhe të krijojë vende të mira pune, duke garantuar stabilitet përmes uljes së huamarrjes dhe inflacionit.
(Burimi: BBC)






