Një vendim i pazakontë po shënon një precedent në historinë monetare të Shteteve të Bashkuara: firma e Donald Trump do të shfaqet në kartëmonedhat e ardhshme amerikane, duke u bërë presidenti i parë në detyrë që lë gjurmën e tij në këtë mënyrë.
Njoftimi u bë zyrtar nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së, i cili konfirmoi se kartëmonedhat e para prej 100 dollarësh me firmën e re do të shtypen duke nisur nga muaji qershor. Më pas, kjo firmë pritet të përfshihet gradualisht edhe në prerje të tjera të dollarit amerikan.

Deri më tani, që nga viti 1861, kartëmonedhat amerikane kanë mbajtur vetëm nënshkrimet e Sekretarit të Thesarit dhe të Thesarit të SHBA-së, duke e bërë këtë ndryshim një thyerje të traditës qё vijon prej mbi një shekulli e gjysmë.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, e cilësoi këtë hap si një mënyrë për të reflektuar “arritjet historike” të vendit dhe të vetë presidentit, duke theksuar simbolikën që mbart përfshirja e emrit të Trump në valutën kombëtare.
Ky vendim nuk vjen i izoluar, por është pjesë e një sërë nismash që synojnë të theksojnë praninë dhe trashëgiminë e Trump në simbolet publike amerikane. Kritikat nuk kanë munguar, me zëra që e konsiderojnë këtë një tendencë drejt kultit të personalitetit.
Ndërkohë, një tjetër zhvillim i lidhur me këtë drejtim është miratimi nga një komision federal i arteve të bukura – i përbërë nga anëtarë të emëruar nga Trump – për prerjen e një monedhe ari përkujtimore me imazhin e tij. Paralelisht, disa institucione publike kanë ndryshuar emërtimin, përfshirë John F. Kennedy Center for the Performing Arts në Uashington.
Edhe në shtetin e Floridas, ndikimi i këtij kursi është i dukshëm: ligjvënësit kanë miratuar një ligj që parashikon riemërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Palm Beach me emrin e Donald Trump, në zonën ku ndodhet edhe rezidenca e tij private.
Në një kohë kur simbolet kombëtare kanë peshë të veçantë në identitetin amerikan, vendimi për të vendosur firmën e një presidenti në kartëmonedha pritet të vazhdojë të ndezë debate të forta, mes atyre që e shohin si nderim historik dhe atyre që e konsiderojnë një hap të diskutueshëm.
(Burimi: Le Figaro)






