Një peshk ton blu ka hyrë në histori duke u shitur për 510.3 milionë jen (rreth 2.8 milionë euro) në ankandin tradicional të Vitit të Ri në tregun e peshkut të Tokio. Bëhet fjalë për një ekzemplar prej 243 kilogramësh, i kapur në brigjet e Oma, në prefekturën Aomori, duke vendosur çmimin më të lartë të regjistruar që nga viti 1999.
Blerësi i tonit rekord është kompania japoneze Kyomura, që drejton rrjetin e njohur të restoranteve Sushizanmai. Peshku do të përpunohet në zonën historike të Tsukiji dhe do të shpërndahet në restorantet e zinxhirit në të gjithë Japoninë, pa rritur çmimet për klientët, pavarësisht shumës marramendëse të paguar në ankand.
“Toni i parë i vitit sjell fat të mirë. Duam që sa më shumë njerëz ta shijojnë dhe të ndihen të mbushur me energji,” deklaroi presidenti i kompanisë, Kiyoshi Kimura, pas përfundimit të ankandit.
Shifra e këtij viti e ka lënë shumë pas rekordin e mëparshëm prej 333.6 milionë jenësh, vendosur në vitin 2019, kur ankandi u mbajt për herë të parë në tregun e ri të Toyosu, pas zhvendosjes nga Tsukiji.
Ankandi u zhvillua në orët e para të mëngjesit, rreth 05:10, mes ofertash të zjarrta dhe një atmosfere simbolike që tërhoqi edhe shumë turistë të huaj. Analistët vërejnë se shumat e larta të Vitit të Ri, të cilat dikur konsideroheshin kryesisht gjeste simbolike, po kthehen fuqishëm pas rënies së shkaktuar nga pandemia.
Ky rikthim i investimeve të mëdha në ankand shihet si një shenjë e qartë e rimëkëmbjes së sektorit të restoranteve dhe konsumit, e nxitur jo vetëm nga rritja e turizmit, por edhe nga përdorimi i traditave kulturore si mjet marketingu dhe identiteti kombëtar.
Në Japoni, ankandi i tonit të parë të vitit nuk është thjesht një transaksion tregtar, por një rit simbolik, ku çmimi i lartë shërben si mesazh besimi për ekonominë dhe vitin që sapo ka nisur.
(Burimi: ANSA)






