Baldoni – Lively: vazhdon beteja ligjore, publikohen video dhe mesazhe me tone kërcënuese
Justin Baldoni ka bërë një shaka për mungesën e trajnimit kundër ngacmimit seksual ndërsa përgatitej të xhironte një skenë të filmit It Ends With Us me Blake Lively, sipas një videoje të siguruar nga TMZ.
Në pamjet filmike, të paraqitura si provë në procesin ligjor të hapur midis dy aktorëve, 41-vjeçari shihet duke i thënë Lively-t: “Mendoj se është shumë seksi. Seksi.” Komenti u bë gjatë përgatitjes së një skene të filmit.
Videoja vijon me Baldonin që i thotë aktores – e cila kishte shpinën nga kamera – se kishte diçka në dhëmbë dhe kërkon një kruajtëse. Më pas ai dëgjohet duke bërë një batutë në drejtim të aktores Jenny Slate, 43 vjeç: “Më falni, e humba trajnimin për ngacmimin seksual.”
Pak çaste më parë ai duket se e kishte quajtur veshjen e Lively-t “të nxehtë” dhe “seksi”. Sipas avokatëve të Baldonit, komenti ishte “krejtësisht i parëndësishëm”, pasi Lively nuk ishte e veshur në mënyrë provokuese, por me pantallona të shkurtra prej leshi dhe një bluzë të kuqe elegante. Ata pretendojnë gjithashtu se vetë aktorja i ishte përgjigjur duke i thënë se “ishte në rregull”.
Ekipi ligjor i Baldonit refuzoi të jepte koment të mëtejshëm për Page Six, ndërsa përfaqësuesit e Blake Lively nuk janë përgjigjur ende.
Padi të ndërsjella dhe prova të reja
Ish-aktorja e Gossip Girl paditi Baldonin në dhjetor 2024 për ngacmim seksual, hakmarrje, shkelje kontrate, shqetësim emocional, shkelje privatësie dhe humbje të pagave. Padia u bë pas muajsh thashetheme për tensione mes dyshes gjatë promovimit të filmit, të cilin e reklamuan veçmas, ndonëse në film interpretojnë rol dashurie.
Baldoni ka mohuar të gjitha akuzat dhe në janar ngriti kundërpadi për shpifje dhe zhvatje civile, megjithatë ajo u hodh poshtë nga gjykata në qershor dhe u mbyll zyrtarisht në fillim të këtij muaji, pasi ai refuzoi të paraqesë një version të ri të padisë. Avokatët e tij thanë se kjo i lë mundësi apelimi në të ardhmen dhe se fokusi i tyre kryesor mbetet padia e Lively-t.
Së fundmi, Baldoni i ka kërkuar gjykatës të rrëzojë edhe padinë e Lively-t, duke argumentuar se “asnjë juri e arsyeshme” nuk do ta shpallte përgjegjës për dëmet e pretenduara prej 161 milionë dollarësh.
Ndërsa gjyqi pritet të nisë në mars, në rrjet po qarkullojnë materiale të reja provash, përfshirë mesazhe të Baldonit me aktorin e The Office, Rainn Wilson, ku ai përshkruan një përballje “traumatike” me bashkëshortin e Lively-t, Ryan Reynolds.
Në një shkëmbim tjetër mesazhesh të paraqitur si provë, autorja e romanit It Ends With Us, Colleen Hoover, shprehet se është “e zhgënjyer” nga Baldoni dhe se “u ndje e detyruar të zgjidhte” midis tij dhe Lively-t.
(Burimi: Page Six)






