Ngushtica strategjike e Hormuzit mund të shndërrohet në një zonë jashtëzakonisht të rrezikshme për marinën amerikane nëse presidenti Donald Trump vendos të dërgojë anije luftarake për të siguruar kalimin e lirë të anijeve tregtare në këtë rrugë ujore jetike për tregtinë botërore.
Sipas raportimeve të Wall Street Journal, ekspertë të marinës paralajmërojnë se dërgimi i anijeve amerikane në këtë korridor të ngushtë mund t’i bëjë ato shënjestra të lehta për sulme iraniane me raketa dhe dronë.
Ngushtica e Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian, është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, pasi një pjesë e madhe e naftës dhe gazit global kalon përmes saj. Rreth 3 mijë anije kalojnë çdo muaj në këtë korridor.
Tensionet janë rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit pas sulmeve ajrore të përbashkëta më 28 shkurt, ku u vra ish-udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei. Që atëherë, Irani ka ndërmarrë kundërsulme ndaj bazave amerikane në rajon, ndërsa Izraeli ka vazhduar bombardimet ndaj objektivave në Iran.
Sipas raportimeve, deri tani të paktën 13 amerikanë janë vrarë në këtë konflikt, ndërsa shumë anije tregtare janë sulmuar apo grabitur gjatë kalimit në Gjirin Persik.
Presidenti Trump ka bërë thirrje që edhe aleatët e SHBA-së të ndihmojnë në rikthimin e sigurisë në këtë rrugë detare, duke theksuar se mbrojtja e kalimit duhet të jetë një përpjekje e përbashkët.
“SHBA do të koordinohet me vendet e tjera që përfitojnë nga kjo rrugë detare në mënyrë që gjithçka të funksionojë shpejt dhe pa probleme. Kjo duhet të kishte qenë gjithmonë një përpjekje nё ekip”, deklaroi Trump.
Megjithatë, burime të cituara nga Reuters thonë se marina amerikane nuk ka dhënë ende urdhra për të shoqëruar anijet tregtare, për shkak të rrezikut të madh nga sulmet iraniane. Zyrtarët paralajmërojnë se në rast të përshkallëzimit, ngushtica mund të shndërrohet në një “kuti vdekjeprurëse” për anijet luftarake dhe ato tregtare amerikane.
Ndërkohë, ushtria izraelite paralajmëron se lufta mund të zgjasë edhe disa javë. Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjeneral brigade Effie Defrin, tha për CNN se ushtria izraelite ka plane për të paktën tre javë të tjera operacione në Iran, me mundësi për një fazë tjetër të operacioneve më tej.
Sipas tij, në javët në vijim pritet të goditen mijëra objektiva të tjera, ndërsa operacionet po zhvillohen në koordinim me aleatët amerikanë.
Për shkak të përshkallëzimit të konfliktit dhe rrezikut në Hormuz, tregjet globale të energjisë tashmë janë tronditur, me rritje të ndjeshme të çmimit të naftës dhe gazit, duke shtuar frikën për një krizë të re ekonomike globale.
(Burimi: Daily Mail)






