Një tjetër rrëmbim masiv trondit Nigerinë, vetëm pak ditë pas incidentit të fundit të ngjashëm. Një grup personash të armatosur sulmuan Shkollën Katolike “Shën Maria” në komunitetin Papiri, distrikti Agwara, në shtetin Nigerian, duke rrëmbyer më shumë se 300 nxënës dhe 12 mësues. Shkolla frekuentohet nga nxënës të moshës 12 deri në 17 vjeç.
Sulmi ndodhi gjatë ditës, kur agresorët hynë me forcë në ambientet shkollore dhe nën kërcënimin e armëve detyruan nxënësit dhe personelin të largoheshin me ta. Dëshmitarët flasin për momente paniku, ndërsa terreni i vështirë dhe zona e largët bënë të pamundur reagimin e menjëhershëm të forcave të sigurisë. Ende nuk dihet cili grup është përgjegjës për rrëmbimin, por raste të ngjashme në të kaluarën i janë atribuar bandave të armatosura lokale.
Daniel Atori, zëdhënës i degës së Shoqatës së Krishterë të Nigerisë konfirmoi se autoritetet fetare po bashkëpunojnë me qeverinë dhe agjencitë e sigurisë për të siguruar lirimin e të rrëmbyerve. “U ktheva në fshat pasi vizitova shkollën dhe u takova me prindërit e fëmijëve. Po punojmë për t’i kthyer në shtëpi të sigurt,” deklaroi ai. Ndërkohë, familjet e nxënësve u mblodhën pranë shkollës në pritje të lajmeve.
Qeveria ka nisur operacione të përbashkëta kërkimi me ushtrinë dhe policinë, dhe po përpiqet të vendosë kontakt me rrëmbyesit për të nisur negociatat. Zona e sulmit është siguruar, dhe kontrollet po kryhen në territorin përreth. Deri tani nuk ka pasur marrje përgjegjësie.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, reagoi ashpër në platformën X, duke e quajtur situatën “të papranueshme dhe thellësisht të dhimbshme”. Ai dënoi dhunën sistematike ndaj komuniteteve të krishtera dhe bëri thirrje për ndërhyrje urgjente për të garantuar siguri dhe drejtësi.
Rrëmbimet masive në Nigeri janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Që nga viti 2014, kur nxënëset e Çibokut u rrëmbyen nga Boko Haram, më shumë se 1.500 nxënës janë rrëmbyer nga banda të armatosura ose grupe ekstremiste. Vetëm nga viti 2020 deri në 2024 janë regjistruar mbi 25 rrëmbime masivenë shkolla dhe universitete, shpesh për shpërblim ose presion politik. Pavarësisht pranisë më të fortë të ushtrisë, fenomeni vijon të kërcënojë sigurinë dhe të drejtën për arsim të mijëra fëmijëve.
(Burimi: TGCO)






