Gjykata Kushtetuese u mblodh sot për shqyrtim paraprak të kërkesës së paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, lidhur me konfliktin e kompetencave të krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër. Çështja lidhet me vendimet e GJKKO-së për pezullimin nga ushtrimi i detyrës së zёvendёskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Pas përfundimit të mbledhjes, Gjykata Kushtetuese publikoi njoftimin zyrtar, në të cilin bëhet e ditur se, me shumicë votash, është vendosur kalimi i çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike, për shkak të interesit të lartë publik që ajo paraqet. Në këtë kuadër, Gjykata ka vendosur të thërrasë në cilësinë e subjekteve të interesuara Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), GJKKO-në e Shkallës së Parë, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin e Republikës.
Po me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese ka vendosur pezullimin e zbatimit të vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku.
Gjykata ka vendosur gjithashtu, siҫ shprehet nё njoftim – njëzëri, mospranimin e kërkesave të partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe të organizatës jofitimprurëse “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse në këtë proces. Sipas arsyetimit të Gjykatës, këto subjekte nuk justifikojnë interes kushtetues, pasi mosmarrëveshja në shqyrtim ka të bëjë ekskluzivisht me konflikt kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese përkatëse.
Në zbatim të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, dhe duke qenë se kërkesa për pezullim është pranuar, Gjykata ka caktuar seancën plenare publike për datën 22 janar 2026, ora 10:00.
Në thelb të çështjes që do të shqyrtohet në seancë plenare është interpretimi i nenit 103, pika 3, të Kushtetutës, lidhur me imunitetin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe garancitë procedurale që ata përfitojnë, si dhe kufijtë e kompetencave të organeve gjyqësore në vendosjen e masave ndaluese ndaj funksionarëve të lartë të ekzekutivit.
Ky proces pritet të ketë peshë të veçantë në raportet institucionale ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë së posaçme, duke krijuar një precedent kushtetues mbi balancën mes luftës kundër korrupsionit dhe parimit të ndarjes së pushteteve.







