Një përplasje e heshtur mes dy prej figurave më të njohura të Hollywood-it, Jennifer Lawrence dhe Emily Ratajkowski, ka dalë në dritë pas vitesh spekulimesh. Burime nga industria e argëtimit thonë se tensionet janë aq të forta, saqë të dyja refuzojnë të jenë në të njëjtën dhomë dhe shmangin eventet ku mund të përplasen.
Sipas burimeve, zanafilla e konfliktit lidhet me një episod nga bota e artit që u bë publik në vitin 2020, kur Ratajkowski përshkroi në librin e saj My Body një skandal ku një vepër arti ishte krijuar mbi bazën e një fotografie të saj nudo, pa pëlqimin e saj. Ajo shkroi se ishte tronditur kur zbuloi se vepra ndodhej në apartamentin e një galeristi të njohur.
Një vit më pas, u bë e ditur se galeristi në fjalë ishte Cooke Maroney, bashkëshorti i Jennifer Lawrence. Zbulimi e përshkallëzoi situatën dhe, sipas burimeve, e ktheu një pakënaqësi të vogël në një përplasje të vërtetë, duke krijuar një “rregull të pashkruar” në eventet e Hollywood-it: ose Jennifer, ose Emily – kurrë të dyja bashkë.
Edhe pse asnjëra palë nuk ka reaguar zyrtarisht, njerëz pranë tyre thonë se organizatorët e festave dhe çmimeve kontrollojnë listat e të ftuarve për të shmangur çdo takim të padëshiruar. Madje përmendet edhe një rast ku të tre – Jennifer, Emily dhe Maroney – ndodheshin në të njëjtin restorant në Nju Jork, por mbrëmja u ndërpre shpejt për të shmangur sikletin.
Përplasja merr edhe më shumë peshë për faktin se të dyja kanë kaluar përvoja të ngjashme, përfshirë ekspozimin e imazheve private në skandalin e vitit 2014, një traumë që secila e ka përshkruar publikisht si tepër të dhimbshme. Megjithatë, kjo përvojë e përbashkët nuk mjaftoi për t’i afruar.
Sot, sipas burimeve të brendshme, konflikti mbetet i pazgjidhur dhe nuk pritet të marrë fund së shpejti. Edhe pse ndajnë miq të përbashkët dhe lëvizin në të njëjtat rrethe, Jennifer Lawrence dhe Emily Ratajkowski duket se do të vazhdojnë të ecin në rrugë të ndara – të paktën sa i përket skenës sociale të Hollywood-it.

(Burimi: The Sun)






