Nën rërën e artë të Tanisit, aty ku faraonët flenë prej mijëra vitesh, arkeologët kanë zbuluar një thesar aq të jashtëzakonshëm, sa po detyron ekspertët të rishkruajnë kapituj të tërë të historisë së Egjiptit të lashtë. Brenda një varri mbretëror—që çuditërisht ishte krejtësisht bosh—u gjetën 225 figurina funerale të paprekura, të punuara në mënyrë mahnitëse dhe të vendosura sipas një formacioni ritual që i ka mbijetuar gati 3,000 viteve.
Zbulimi është i pashembullt. Më shumë se gjysma e figurinave janë femra—diçka pothuajse e padëgjuar në varrime mbretërore egjiptiane—dhe pozicionimi i tyre në formë ylli dhe në rreshta të përkryer horizontalë sugjeron një qëllim ceremoniali ende të padeshifruar plotësisht.
Është hera e parë në afro 80 vjet që një thesar i tillë shfaqet i paprekur në një varr mbretëror të Tanisit, duke e bërë këtë një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike që prej viteve ’40. Por pjesa më befasuese është vetë varri: bosh, pa asnjë trup, dhe megjithatë i identifikuar qartazi si vendi i fundit i prehjes së Faraonit Shoshenq III, sundimtar i Egjiptit nga viti 830 deri në 791 p.Kr. Simbolet mbretërore në figurinat shërbëtore e vërtetojnë plotësisht këtë.
Misteri thellohet: pse faraoni nuk u varros kurrë në varrin e tij?
Egjiptologu francez Frédéric Payraudeau, që e quajti zbulimin “tronditës”, ngriti pyetjen që po shqetëson gjithë botën arkeologjike: “Pse nuk është varrosur këtu?”
Ai sugjeron se ndërtimi i varreve mbretërore ishte gjithmonë një rrezik: trashëgimtarët mund të mos respektonin planet ose mund të zgjidhnin që faraoni të prehej diku tjetër. Në kohën e Shoshenq III, Egjipti ishte i përçarë nga luftëra të përgjakshme dhe kriza politike, çka mund të ketë penguar varrimin tradicional. Një tjetër mundësi është zhvendosja e eshtrave për shkak të plaçkitjeve.
Kjo zonë e Tanisit njihet prej dekadash. Në vitin 1939, arkeologu i famshëm Pierre Montet zbuloi komplekset e para të varreve, përfshirë sarkofagun e granitit të faraonit Osorkon II. Por asnjë gjetje aty nuk ishte kaq e paprekur dhe e bollshme sa kjo. Sipas Payraudeau, momenti i zbulimit ishte i paharrueshëm:
“Kur pamë tre ose katër figurina së bashku, e kuptuam menjëherë… ishte e mrekullueshme. Më pas nisi gara. Punonim deri natën për të siguruar që gjithçka të ruhej.”
Gjatë 10 ditëve të gërmimeve intensive, ekipi hoqi me kujdes të 225 figurinat—secila pёrfaqёsonte një shërbëtor ritual, i destinuar për t’i shërbyer faraonit në jetën e përtejme. Por faraoni nuk ishte aty.
Ky zbulim krahasohet me pak raste të historisë së arkeologjisë egjiptiane. Payraudeau kujton se diçka e këtij niveli nuk është parë në jug, në Luginën e Mbretërve, që prej hapjes së varrit të Tutankhamunit në vitin 1922.
Pas analizave të kujdesshme, figurinat do të ekspozohen në një muze egjiptian, duke i ofruar publikut mundësinë e rrallë për të parë nga afër misterin e një faraoni që humbi varrin… por la pas një thesar që mund të ndryshojë gjithçka që dimë për të.






