Obeziteti tek fëmijët dhe adoleshentët po kthehet në një nga dramat më të mëdha shëndetësore të kohës sonë. Për herë të parë në histori, sipas një raporti të fundit të UNICEF-it, numri i fëmijëve me obezitet ka tejkaluar atë të fëmijëve të nënushqyer në mbarë botën. Organizata paralajmëron për një situatë “alarmante” dhe e cilëson atë si një “pandemi globale”, me pasoja të rënda në të ardhmen.
OECD nё raportet e saj thekson se më shumë se gjysma e të rriturve në vendet anëtare sot janë mbipeshë – duke treguar se një pjesë e madhe e këtyre problemeve kanë filluar që në fëmijëri. Kjo rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundje serioze në moshë të rritur, si diabeti, kanceri dhe problemet kardiovaskulare.
Në qendër të këtij fenomeni të frikshëm qëndron ushqimi ultra i përpunuar – produktet industriale të pasura me sheqer, kripë, miell të rafinuar, yndyrna jo të shëndetshme dhe aditivë, të cilat janë bërë pjesë e përditshme e dietës së shumë fëmijëve. Gjithnjë e më shumë fëmijë po kёrkojnё asistencё mjekёsore pёr shkak tё obezitetit tё theksuar, shoqёruar me tension të lartë, me rezistencë ndaj insulinës dhe me rrezik të menjëhershëm për komplikacione të rënda. Në shumë raste ndërhyrja mjekësore nuk mjafton dhe duhet një punë e gjerë me nutricionistë dhe psikologë, sepse fëmijët mësohen me ushqime tepër të shijshme, por shumë të dëmshme – “bomba kalorike” që krijojnë varësi.
Faktorë të tjerë e përkeqësojnë situatën janё jeta tepёr sedentare, orët e shumta para ekranit, mungesa e aktivitetit fizik dhe oraret jo të rregullta të gjumit. Fëmijët kalojnë më shumë kohë me telefon dhe televizor sesa duke u marrë me sport, ndërsa shumë familje, për arsye kohe ose ekonomike, zgjedhin ushqime më të lira, por të pashëndetshme.
Nё ekonominё e sotme, “të ushqehesh si duhet kushton”, dhe shumë prindër nuk kanë mundësi të blejnë rregullisht fruta, perime, peshk apo mish cilësor, ndërsa ushqimet e përpunuara janë të lira, të shpejta dhe të gjendshme kudo.
Një tjetër betejë që po nis është kufizimi i reklamave të ushqimeve të dëmshme drejtuar për fëmijët. Pёr shembull, nё Spanjё, Ministria e Konsumit paralajmëron një ligj të ri që pritet të hyjë në fuqi së shpejti, pasi një fëmijë spanjoll ekspozohet mesatarisht ndaj mbi 4.000 reklamave të ushqimit të pashëndetshëm çdo vit – rreth 11 reklama në ditë.
Ekspertët paralajmërojnë se pasojat ekonomike për sistemet shëndetësore do të jenë dramatike, sepse obeziteti prek sot rreth 188 milionë fëmijë dhe adoleshentë në botë, një në dhjetë. UNICEF vlerëson se deri në vitin 2035, kostoja globale e trajtimit të obezitetit do të kalojë 4 trilionë dollarë, duke u kthyer në barrë të rëndë për buxhetet shtetërore dhe familjare.
Megjithëse ndёrgjegjёsimi i prindërve është rritur, ekspertët theksojnë se duhet më shumë edukim, mbështetje sociale dhe strategji të qarta nga qeveritë. Lufta kundër obezitetit fillon në shtëpi, vazhdon në shkollë dhe duhet të udhëhiqet nga institucionet. Nëse nuk ndryshohet rruga, brezat e ardhshëm do të paguajnë një çmim tepër të lartë – me shëndetin dhe me jetët e tyre.






