Liderja e opozitës në Taiwan ka deklaruar se bota nuk ka nevojë për një krizë të re rreth ishullit, në prag të një vizite të rëndësishme në Kinё që po ndiqet me vëmendje ndërkombëtare.
Cheng Li-wun, kryetare e partisë opozitare Kuomintang, do të udhëtojë javën e ardhshme në Kinë për një vizitë gjashtëditore me ftesë të presidentit Xi Jinping.
Ajo theksoi se qëllimi i saj është ulja e tensioneve dhe promovimi i dialogut: “Askush nuk dëshiron që ngushtica e Tajvanit të kthehet në një krizë ushtarake në një moment kur situata globale është tashmë e trazuar.”
Vizita vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Pekinit dhe qeverisë së presidentit tajvanez Lai Ching-te janë të ngrira. Kina refuzon të komunikojë me të, duke e konsideruar “separatist”, ndërsa Lai këmbëngul se vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e vendit.
Ndërkohë, Kina vazhdon ta konsiderojë Tajvanin si territor të vetin dhe ka shtuar presionin ushtarak dhe politik ndaj ishullit, duke mos përjashtuar përdorimin e forcës për “ribashkim”.
Nga ana tjetër, autoritetet tajvaneze kanë paralajmëruar se këto lëvizje diplomatike nuk ndryshojnë objektivin afatgjatë të Pekinit për aneksimin e ishullit.
Vizita e Cheng ndodh edhe në sfondin e debateve të brendshme në Tajvan për një paketë të madhe buxhetore mbrojtjeje prej 40 miliardë dollarësh, e cila është bllokuar nga opozita në parlament.
Megjithëse Pekini e paraqet “ribashkimin paqësor” si një mundësi zhvillimi ekonomik për Tajvanin, sondazhet tregojnë se shumica e tajvanezëve nuk e mbështesin modelin “një vend, dy sisteme”.
Në thelb, vizita e opozitës shihet si një përpjekje për të ulur tensionet, por edhe si një lëvizje politike delikate në një nga pikat më të nxehta të sigurisë globale.
(Burimi: Reuters)






