Fundi i botës nuk ka qenë kurrë më afër. Buletini i Shkencëtarëve Atomikë ka vendosur Orën e Kiametit në vetëm 85 sekonda para mesnatës për vitin 2026, katër sekonda më afër se vitin e kaluar dhe distanca më e vogël në histori që nga krijimi i kësaj matjeje simbolike. Vendimi vjen në një klimë globale të tensionuar, ku konfliktet ushtarake, kriza klimatike, rreziku bërthamor dhe zhvillimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale po shtyjnë njerëzimin drejt një pike pa kthim.
Sipas shkencëtarëve, politikat e administratës së Presidentit amerikan Donald Trump kanë ndikuar ndjeshëm në përshpejtimin e këtij rreziku. Raporti përmend mohimin e ndryshimeve klimatike, rikthimin e varësisë nga nafta dhe energjia bërthamore e vjetëruar, si edhe retorikën agresive ndaj vendeve të tjera, përfshirë ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë dhe kërcënimet ndaj Groenlandës dhe Iranit. Këtyre u shtohen lufta në Ukrainë dhe shkatërrimi masiv në Gaza, që sipas Buletinit, kanë normalizuar përdorimin e forcës si instrument politik.
“Një vit më parë paralajmëruam se bota ishte rrezikshëm afër katastrofës globale. Në vend që ta dëgjonin këtë paralajmërim, Rusia, Kina, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të mëdha janë bërë gjithnjë e më agresive, nacionaliste dhe konfrontuese,” thuhet në deklaratën e Buletinit. Ky zhvillim, theksojnë shkencëtarët, po minon bashkëpunimin ndërkombëtar për çarmatimin bërthamor, luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe kontrollin e teknologjive me rrezik të lartë.
Daniel Holz, president i Buletinit dhe profesor i Fizikës në Universitetin e Çikagos, paralajmëron se askush nuk po e ndalon garën e armëve bërthamore, ndërsa kriza klimatike po përshkallëzohet. Sipas tij, nivelet e dioksidit të karbonit dhe të detit kanë arritur rekorde historike, ndërsa thatësirat, zjarret, përmbytjet dhe stuhitë po intensifikohen. Ai shton se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale po krijon një kërcënim të ri, duke përhapur dezinformimin dhe duke e bërë më të vështirë adresimin e krizave globale.
Edhe redaktorja e Buletinit, Alexandra Bell, e cilëson situatën si një dështim global të lidershipit. Sipas saj, bota po shkon drejt modele qeverisjeje autoritare dhe imperialiste, të cilat e bëjnë bashkëpunimin ndërkombëtar gjithnjë e më të pamundur. “Kjo prirje vetëm sa e afron më tej orën drejt mesnatës,” thekson ajo.
Jon Wolfstahl, anëtar i komitetit shkencor, vë në dukje se rreziku bërthamor mund të ulej menjëherë nëse ekziston vullnet politik. Ai kritikon administratën amerikane për mungesë ekspertësh të përkushtuar që të punojnë realisht për uljen e rrezikut ekzistencial. “Nëse këto probleme trajtohen gabim, asgjë tjetër nuk do të ketë rëndësi,” paralajmëron ai.
Ora e Kiametit është krijuar në vitin 1947 nga një grup shkencëtarësh të lidhur me Projektin Manhattan, përfshirë bashkëpunëtorë të Albert Einstein dhe Robert Oppenheimer. Ajo mat në mënyrë simbolike probabilitetin e një katastrofe globale të shkaktuar nga njeriu. Në fillim ishte vendosur 7 minuta para mesnatës. Në vitin 1991, pas marrëveshjeve të çarmatimit bërthamor mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, ajo u largua deri në 17 minuta para mesnatës. Por që prej asaj kohe, me përjashtime të rralla, akrepat janë zhvendosur vetëm përpara.
Në vitin 2007, ndryshimi i klimës u përfshi zyrtarisht si faktor rreziku. Që atëherë, kriza klimatike, rikthimi i garës bërthamore, luftërat rajonale dhe zhvillimi i pakontrolluar teknologjik e kanë shtyrë orën në pikën aktuale — më pranë mesnatës se kurrë më parë.
Mesazhi i shkencëtarëve është i drejtpërdrejtë: njerëzimi ka ende mundësi të ndryshojë kursin, por koha për ta bërë këtë tani matet jo më në vite, por në sekonda.
(Burimi: El País)






